Fituesi i medaljes së artë në skermë në Lojërat Pan Amerikane, Race Imboden mund të sanksionohet për protestën kundër presidentit Donald Trump gjatë ceremonisë së medaljes, ka bërë të ditur sot Komiteti Olimpik dhe Paraolimpik i SHBA-së (USOPC).
Imboden u ul në një gju në kohën kur flamuri amerikan po ngritjes, duke bërë kështu një protestë politike, shkruan The Guardian.
Këtë veprim të tij, Imboden e ka shpjeguar më vonë përmes një postimi në Twitter, derisa ka bërë thirrje për drejtësi.
“Duhet të bëjmë thirrje për ndryshim”, ka shkruar Imboden. “Këtë javë isha i nderuar që të përfaqësoja Ekipin e SHBA-së në Lojërat Pan Amerikane, duke marrë në shtëpi të artën dhe të bronztën”.
Tutje ai ka shkruar, “Megjithatë krenaria ime është zvogëluar shkaku i mangësive të shumta të vendit, të cilin e kam kaq përzemërt. Racizmi, kontrolli i armëve, keqtrajtimi i emigrantëve dhe një president që shpërndan urrejtje janë në krye të listës së gjatë. Kam vendosur që sot të sakrifikoja momentin tim në krye të podiumit që t’i kushtojë vëmendje çështjeve për të cilat besoj se duhet të adresohen. Inkurajoj të tjerët që të përdorni platformat tuaja për fuqizim dhe ndryshim”.
Gjunjëzimi i atletëve në podium tashmë është bërë mënyrë e protestës kundër padrejtësive në SHBA.
Një protestë të tillë bëri të shtunën edhe hedhësja e çekanit, Gwen Berry, e cila ngriti grushtin në fund të himnit kombëtar pasi kishte rrëmbyer medaljen e artë.