Basha tha se kushdo që do të shkelë vendimin e Kryesisë për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, e ka fatin e ‘paracaktuar’, duke përfshirë edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se vota e kryesisë së Partisë Demokratike i ka dhënë përgjigje kujtdo që ka dyshuar në procedurat demokratike të kësaj partie. Basha gjithashtu ka sulmuar paraardhësinë e tij, Sali Berishën, duke thënë se ai dëshiron të bunkerizojë dhe të destabilizojë PD-në. Në fjalën e tij në mbledhjen e krerëve të PD-së, Basha tha se kushdo që do të shkelë vendimin e Kryesisë për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, e ka fatin e ‘paracaktuar’, duke përfshirë edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Do të bëjë Sali Berisha miting me 11 dhjetor? Apo mendon se do të ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e datës 18 si Kuvend legjitim. E kuptoj, asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD. Por veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjen në statut. Dhe do ta zbatoj statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë së partisë, fatin e ka të caktuar nga statuti i partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi statutin dhe nuk është mbi të tjerët”- u shpreh Basha