Vdekjet vjetore nga overdoza në SHBA tejkaluan shifrën 100 000, për herë të parë në histori, sipas të dhënave të reja nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), një statistikë tronditëse pasi kombi vazhdon të përballet me Covid-19.
Të dhënat e publikuara sugjerojnë se rreth 100 306 njerëz vdiqën nga overdoza në periudhën 12-mujore, me një rritje prej 28,5 për qind krahasuar me 12 muajt e mëparshëm.
“Kjo është e papranueshme dhe kërkon një kundërpërgjigje të paprecedentë”, tha Rahul Gupta, drejtori i Byrosë së Politikës Kombëtare të Kontrollit të Drogës, gjatë një telefonate me gazetarët, duke vënë në dukje se një amerikan vdes çdo pesë minuta nga një mbidozë.
Vetëm katër shtete, Delauer, Nju Xhersei, Nju Hempshajër dhe Sauth Dakota panë ulje të numrit të vdekjeve nga mbidoza.
“Fentanili sintetik dhe metamfetaminat po nxisin krizën e mbidozës në Amerikë”, theksoi administratorja e Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA), Anne Milgram.
“Fentanili po përzihet me droga të tjera si kokaina, heroina, marijuana dhe metamfetamina dhe trafikantët dhe rrjetet e drogës po vërshojnë komunitetet tona me fentanil dhe metamfetaminë në formën e pilulave të falsifikuara”, shtoi ajo.