Agjencia për Hetime dhe Mbrojtje e Bosnje e Hercegovinës (SIPA) tha se pesë ish-ushtarë janë arrestuar në Sarajevë, nën dyshimet se kanë kryer krime kundër civilëve serbë, që ishin të burgosur gjatë luftës në Bosnjë më 1992-1994.
Përmes një deklarate, SIPA tha më 7 dhjetor se të paktën tetë civilë ishin vrarë dhe mbi 100 të tjerë ishin plagosur nga pesë ushtarët, që po akuzohen për burgosje të paligjshme, torturë, abuzim, punë të detyrueshme, keqtrajtim fizik dhe mendor, si dhe vrasje.
Civilët e burgosur ishin mbajtur ilegalisht gjatë periudhës së luftës në kampe të të burgosurve, që gjendeshin në objektin e një shkolle dhe në një ndërtesë të papërfunduar në Sarajevë.
“Të pandehurit akuzohen me vrasjen e të paktën tetë civilëve të cilët kishin qenë të burgosur. Në mesin e të dyshuarve ka edhe keqbërës të cilët kanë qenë të përfshirë direkt në vrasje”, u tha në deklaratë.
SIPA tha po ashtu se policia serbe ishte pjesë e operacioneve teksa disa nga viktimat tani jetojnë në Serbi.
Mbi 100,000 persona u vranë gjatë konfliktit në Bosnje, që përfundoi pas arritjes së një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që ndau administratën e shtetit në linja etnike në mesin e boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve.
Ky është operacioni i tretë në dy javët e fundit për arrestimin e të dyshuarve për krime të luftës.
Më 3 dhjetor, shtatë persona u arrestuan dhe u akuzuan për pjesëmarrje në vrasjen e 22 boshnjakëve, përfshirë edhe shtatë fëmijë, në fshatin Balatun. Vrasjet në këtë fshat kishin ndodhur pothuajse 30 vjet më parë. Atëbotë, tre persona të dyshuar për këto vrasje, ishin anëtarë të policisë serbe.
Katër ditë para kësaj, Agjencia tha se ka arrestuar nënë persona në qytetin Novi Grad nën dyshimet për krime kundër njerëzimit.
Mbi 100,000 persona vdiqën gjatë luftës në Bosnje.
Serbët e Bosnjës gjatë konfliktit e kishin rrethuar kryeqytetin, Sarajevën, por shumë serbeëvazhduan të qëndronin në qytet dhe dhjetëra u vranë nga luftëtarët boshnjakë që ishin në Sarajevë.
Raportet etnike në Bosnje vazhdojnë të jenë të tensionuara edhe pasi marrëveshja e vitit 1995 i dha fund konfliktit dhe krijoi dy entiteti brenda Bosnjës – një entitet të serbëve të Bonjës dhe kroatëve të Bonjës.