Kampioni i Spanjës, Atletico Madridi, ka avancuar në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve. Atletico të martën mbrëma e mposhti Porton në Portugali me shifrat 3:1 dhe prej pozitës së dytë të grupit B avancon tutje. Grupin e ka fituar Liverpooli me 18 pikë, duke i fituar të gjitha gjashtë ndeshjes.
Atletico Madridi renditet i dyti me 7 pikë, ndërsa Porto është e treta me 5 pikë. Milani mbetet i fundit me 4 pikë. Porto vazhdon në Ligën e Evropës.
Sfida në Porto është vendosur në pjesën e dytë. Antoine Griezmann realizoi për 1:0 në minutën e 56-të. Sulmuesi francez asistoi për Angel Correa, që shënoi në minutën e 90-të për 2:0. Në kohën shtesë u shënuan edhe dy gola. Rodrigo De Paul shënoi për 3:0 në të mirë të Atleticos në minutën e 92-të. Sergio Oliveira konkretizoi penallti në minutën e 96-të për rezultatin 3:1. U treguan edhe tre kartona të kuq në këtë ndeshje.
Yannick Carrasco i Atleticos u përjashtua me të kuq në minutën e 67-të. Wendell i Portos hyri në lojë në minutën e 63-të dhe u përjashtua në minutën e 70-të. Rezervistit Agustin Marchesin, po ashtu iu tregua kartoni i kuq.