Televizioni britanik ITV News ka publikuar një video ku të jep përshtypjen se zyrtarët e kabinetit të Boris Johnson po bëjnë shaka me festën e Krishtlindjes.
Stafi i kabinetit të kryeministrit, Boris Johnson mund të dëgjohet në video duke qeshur dhe përmendur “djathë dhe verë”, ndërsa zëdhënësja e atëhershme e kryeministrit, Allegra Stratton vuri re se “përfundimisht nuk kishte distancim shoqëror”.
Sipas Reuters, videoja e datës 22 dhjetor së vitit 2020 është një provë e një konference për shtyp në Downing Street, të cilën Stratton supozohej ta drejtonte, dhe stafi në sallë po bën pyetje imagjinare për ta ndihmuar atë të përgatitet.
“Sapo pashë raportime në Twitter se kishte një festë Krishtlindjesh në Downing Street të premten mbrëma, a jeni në dijeni?”, pyeti një nga të pranishmit, një këshilltar i kryeministrit britanik Ed Oldfield.
“Shkova në shtëpi”, përgjigjet Stratton duke qeshur, përpara se të vijë në vete dhe thotë “prit”. Pas një pauze të gjatë, Oldfield pyet “A e miratoi kryeministri festën e Krishtlindjeve,” dhe Stratton qesh, duke parë dyshemenë, përpara se të pyesë “Cila është përgjigja?”
Stafi më pas përpiqet të ndihmojë zëdhënësen e ish-kryeministrit për të formuluar një përgjigje. “Nuk ishte një festë, ishte djathë dhe verë,” përgjigjet njëri.
“A janë djathi dhe vera në rregull?”, pyet Stratton. Në atë moment, një anëtar i stafit që komentonte djathin dhe verën, dukej se tha “Jo… shaka”.
Stratton shton “Ishte një takim pune”, ndërsa qesh përsëri.
Më pas ajo paralajmëron kolegët e saj se “kjo është regjistruar” gjersa duke buzëqeshur thotë se “kjo festë fiktive ishte një takim pune dhe se nuk ka pasur distancim social”.
Ndërkohë, Johnson është përballur me pyetje dhe kritika që kur gazeta londineze “Mirror” njoftoi javën e kaluar se kishte shumë tubime shoqërore në zyrën e Johnsonit, gjatë periudhës së Krishtlindjeve të vitit të kaluar, raporton bbc.
Kreu i Partisë Laburiste të opozitës britanike, Kir Starmer, tha se kjo video ishte një fyerje për ata që respektonin rregullat e izolimit, kur nënkuptonte ndarjen nga familjet e tyre për Krishtlindje.
Në një fjalim përpara se ITV të publikonte videon, Johnson tha se ishte i kënaqur që qeveria nuk shkeli kufizimet gjatë mbylljes për shkak të COVID-19.
“Udhëzimet janë ndjekur gjatë gjithë kohës. Unë u sigurova që udhëzimet të ndiqen në çdo kohë”, tha sot Johnson.