Indi biologjik përbëhet kryesisht nga një koleksion i madh qelizash ‘të ulura’ në një skelë proteinash dhe zinxhirësh sheqeri (matrica jashtëqelizore) dhe të mbushur me lëngje që bartin kimikate të ndryshme ndërmjet qelizave. Andaj, asnjë kimikat nuk mund të bëjë që indet e njeriut të rigjenerohen brenda sekondave.
Rigjenerimi i indeve përfshin kryesisht fabrikimin e matricës jashtëqelizore, e cila sekretohet nga qelizat, dhe krijimin e qelizave të reja me anë të ndarjes qelizore. Prandaj, shkalla me të cilën rigjenerohet indi kufizohet kryesisht nga sa shpejt një qelizë mund të ndahet në dy qeliza të reja, plotësisht funksionale, të cilat më pas bëhen mjaft të pjekura për t’u ndarë përsëri.
Kjo kohë e riprodhimit të qelizave varet nga lloji i qelizës, por për njerëzit kohëzgjatja më e shkurtër e një cikli të vetëm qelizor është rreth një ditë. Për të gjeneruar një sasi të mirë indesh, do të nevojiten disa cikle qelizore, kështu që koha totale për rigjenerimin e indeve është në maksimum disa ditë. Ky numër është një minimum absolut.
Në shumicën e rasteve, njeriut do t’i duhet shumë më tepër kohë që të rigjenerojë një sasi të konsiderueshme indesh; nga javë në muaj. Për më tepër, nëse nevoja për rigjenerim shkaktohet nga dëmtimi akut i indit, trupi mund të përgjigjet duke formuar një ‘mbulesë’ në vend që të rigjenerojë indin.
Disa lloje të indeve njerëzore thjesht nuk mund të rigjenerohen vetë në përgjigje të dëmtimit të konsiderueshëm. Edhe nëse mund të aplikonim kimikate që e detyrojnë indin të rigjenerohet sa më shpejt që të jetë e mundur (por ende mbeten si qeliza disi normale njerëzore), më e mira që mund të bëhet është që indet të mund të rigjenerohen në pak ditë, jo në pak sekonda.
Disa qeliza embrionale mund të riprodhohen shumë shpejt, çdo 8 minuta. Megjithatë, një riprodhim i tillë është aq i shpejtë saqë nuk lejon kohë të mjaftueshme që qelizat të rriten në madhësinë e duhur. Ato ndahen vetëm në qeliza më të vogla, ndërsa vëllimi i përgjithshëm i indeve mbetet i njëjtë.
Pra, kjo nuk do të llogaritet realisht si rigjenerim i indeve në 8 minuta. Duke supozuar se vlente, kjo do të nënkuptonte se me një inxhinieri gjenetike të gjerë për t’i bërë qelizat njerëzore të veprojnë si këto qeliza embrionale, më e mira që mund të bëhej ndonjëherë arritja e rigjenerimit të indeve në 8 minuta, jo në disa sekonda.
Ky është thjesht një kufi i besueshmërisë. Është e dyshimtë se kjo kohë rigjenerimi mund të arrihet ndonjëherë, madje edhe me inxhinierinë më të mirë gjenetike. Përsëri, kohëzgjatja më e shpejtë e ciklit qelizor të njeriut është një ditë.
Marrë nga: Science Questions with Surprising Answers
Nga: Dr. Christopher S. Baird – profesor i Fizikës në West Texas A&M University.