Duke u munduar t’i mbajë lotët, Sergio Aguero mori frymë thellë dhe më në fund e bëri njoftimin që tifozët e futbollit e kishin frikë qëkur sulmuesi argjentinas u largua nga një ndeshje e Barcelonës me dhimbje në gjoks gjashtë javë më parë.
“Kam vendosur të ndaloj së luajturi futboll profesionist”, tha sulmuesi 33-vjeçar i Barcelonës të mërkurën para një audience të ngushtë miqsh, familjarësh e bashkëlojtarësh. Pas një karriere të suksesshme 18-vjeçari pati një fund të trishtuar dhe të papritur. Aguero, një nga sulmuesit më të mëdhenj në botë të kësaj gjenerate, iu nënshtrua testeve pasi u largua nga fusha duke mbajtur gjoksin gjatë ndeshjes së Barcelonës kundër Alaves në kuadër të La Ligas më 30 tetor.
“Kur ata bënë testin e parë në klinikë, stafi mjekësor më thirri për të më thënë se ekzistonte një mundësi shumë e madhe që nuk do të mund të vazhdoja të luaja”, tha Aguero. “Unë isha ende duke përpunuar gjithçka kur një nga mjekët më tha drejtpërdrejt, ‘Mjaft më’”.
Duke folur në një konferencë shtypi të organizuar posaçërisht në stadiumin “Camp Nou”, Aguero e shikoi me trishtim teksa në një ekran po shfaqej karriera e tij kulmore. Kishte gola dhe shumë prej tyre ishin nga koha e tij kur ka luajtur për Independienten, Atletico Madridin, Manchester Cityn dhe Argjentinën. Periudha e tij ishte e shkurtër te Barcelona, së cilës ai iu bashkua në maj, por për të cilën ai arriti të bënte vetëm pesë paraqitje. Ai buzëqeshi teksa ua kujtoi të gjithëve se goli i fundit i karrierës së tij ishte kundër Real Madridit, rivalit më të madh të Barcelonës.
“E mora këtë vendim për shkak të problemeve që pata pak më shumë se një muaj më parë. Isha në duar të mira të mjekëve, të cilët gjithashtu bënë më të mirën dhe më thanë se gjëja më e mirë për të bërë është që të tërhiqem nga futbolli aktiv. Bëra gjithçka që ishte e mundur për të mbajtur gjallë shpresën, por nuk kishte shumë shpresë”, tha Aguero në konferencën, në të cilën ishte i pranishëm edhe trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola.
I pyetur se si do të dëshironte të kujtohej, Aguero – duke e respektuar reputacionin e tij si një person i turpshëm – tha se ai nuk ishte personi i duhur për këtë pyetje. Megjithatë, ai përfundoi duke thënë: “Nuk isha keq, apo jo? Kështu më thonë”.
Një nga lojtarët më të njohur në botë, me goditjen e tij të fuqishme dhe lëvizjen shpërthyese, Aguero do të mbahet mend më së miri si lojtar për qëndrimin e tij dhjetëvjeçar në Manchester City, periudhë gjatë se cilës ai u bë faktor i madh i futbollit anglez. Aguero shënoi 260 gola rekord për Cityn dhe ishte një lojtar kyç në rritjen e ekipit si një forcë kryesore në Angli dhe Evropë. Ai kishte një rekord prej 12 “hat-trickave” në totalin e tij prej 184 golave në Premier League, më së shumti për një lojtar të huaj dhe i katërti i të gjitha kohërave. Ai gjithashtu shënoi atë që është pa dyshim goli më i famshëm i Premier Leagues, fitoren dramatike kundër QPR-së, që ia siguroi titullin Cityt në xhiron e fundit të sezonit 2011/12. E për këtë tifozët e Cityt e brohoritën emrin e Agueros gjatë fitores 7:0 ndaj Leeds Unitedit të martën mbrëma.
“Një nga sulmuesit më të mirë ndonjëherë”, shkroi mesfushori i Cityt, Kevin de Bruyne në “Twitter”.
Aguero, i cili iu bashkua Cityt nga Atletico Madridi në vitin 2011, luftoi me lëndimet në dy sezonet e tij të fundit në Angli dhe u lejua të largohej. Ai nënshkroi për Barcelonën, ku mendoi se do të lidhej me mikun e ngushtë dhe bashkëlojtarin te Argjentina, Lionel Messi, i cili iu bashkua Paris Saint-Germainit për shkak të problemeve financiare të klubit. Aguero humbi fillimin e sezonit të tij të parë në Barcelonë për shkak të problemeve me gjendjen fizike dhe po bënte vetëm startin e tij të dytë për ekipin kur ndjeu një dhimbje në gjoks kundër Alavesit përpara se të largohej nga fusha pa përfunduar pjesa e parë.
“Vendimin që e mora”, tha Aguero. “E kam marrë për shëndetin tim”.
Për Argjentinën, Aguero shënoi 41 herë në 97 ndeshje. Trofeu i vetëm i madh i Agueros me Argjentinën erdhi në edicionin e sivjetmë të Kupës së Amerikës, në të cilin ai mezi u paraqit, dhe gjithashtu fitoi medaljen e artë olimpike në Pekin në vitin 2008. Ai luajti në tri Kampionate Botërore. Aguero ishte një nga lojtarët më të rinj që bëri debutimin e tij në divizionin elitar të Argjentinës, në moshën 15-vjeçare për Independienten. Aguero shënoi 427 gola në 786 ndeshje në karrierën e tij.
“Mund të jem shumë i lumtur me titujt që kam fituar”, tha Aguero. “Çdokush mund të japë gjithmonë pak më shumë, por unë mendoj se kam dhënë gjithçka nga vetja për klubet ku kam luajtur”.