Ish-kryeministri Sali Berisha në ditën që votohej për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD-së, lajmëroi nisjen e betejës kundër Edi Ramës.
Rrugës për në qendrën e votimit, Berisha bëri me dije se të hënën ka thirrur një protestë emergjence kundër ardhjes në Tiranë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe kundër aferës korruptive të incineratorëve, që sipas tij arrin në qindra milionë euro.
“Ato që bën Lulzim Brava, skenarin e merr nga kreu i Meduzës. Ju jap fjalën që do të kenë të njëjtin fund dhe të njëjtin fat. Ditën e hënë, ora 4, të gjithë demokratët në protestën e madhe në mbrojtje të interesit kombëtar por edhe kundër vjedhjes së tmerrshme të 400 mln eurove që kërkon kreu i Meduzës me SPAK-un e tij ti fshehë në një vjedhje prej 3 milion eurosh.”
Pasi votoi në qendrën pranë Ambasadës amerikane për shkarkimin e Bashës, Berisha tha se kjo është një ditë historike për lirinë dhe shpresën e PD-së.
“Anëtarësia ka vendosur dhe po ushtron votën e saj të lirë, po dridhen themelet e narkoshtetit.”
Ai u pyet lidhur edhe me çështjen e Toyota Yaris.
“Nuk kam mbajtur asnjë sekret të fshehur. Sa i takon Toyota Yaris prokuroria ka hapur një çështje dhe Lulzim Basha ka bërë deponimin. Pse i mbyll Ëngjëll Agaçi unë prokuror nuk bëhem. Unë di që ai është thirrur në hetim. Drejtësia belge po e ndjek dhe kam besim se do i shkojnë deri në fund”.
Berisha sfidoi edhe njëherë Departamentin Amerikan të Shtetit të paraqesë çdo provë që ka kundër tij, por siguroi se do të mbeten duarbosh si deri më sot.
“Unë nuk kam refuzuar kurrë asnjë lloj hetimi dhe ftoj DASH, çdo qeveri, çdo individ të paraqesë çdo fakt, dokument, provë që ka kundër Sali Berishës. Por ju siguroj se sikundër deri sot edhe 100 vjet të tjera do të mbeten duarbosh”.
Ai tha se lëvizja politike e udhëhequr prej tij nuk është betejë kundër SHBA por betejë për lirinë dhe votën e lirë në Shqipëri.
“Nuk është betejë kundër asnjë vendi të lirë dhe aq më pak SHBA. Është betejë për lirinë, votën e lirë në Shqipëri. Betejë kundër lirisë dhe vendeve të lira bën Lulzim Brava që deklaron se SHBA pranuan për shkak të Sali Berishës plaçkitjen e votës nga Edi Rama. Betejën time personale e kam në gjykatën e Parisit.E drejta më elementare që mund të ndërmerret”.
Në fund Berisha deklaroi se selia e Partisë Demokratike nuk është pronë private e Lulzim Bashës, por është shtëpia e demokratëve.