Vendosja e një memoriali përkujtimor në Parkun e Liqenit në Tiranë, për nder të personave që humbën jetën gjatë grusht shtetit të dështuar në Turqi, prej ditësh ka ngjallur reagime të ashpra jo vetëm nga shoqëria civile, por edhe nga figura të njohura të jetës politike në Shqipëri dhe më gjerë.
Së fundmi, ish-deputeti i Partisë Socialiste në Shqipëri, Eduard Ndocaj, i njohur ndryshe me nofkën “kaubojsi” ka bërë publik në rrjetet sociale një njoftim të bujshëm, për prishjen e memorialit turk.
“Kush e shemb këtë ka një çmim të mirë: 2000 euro”, shkruan Ndocaj.
Ky është reagimi i dytë i Ndocajt për memorialin turk në Tiranë. Pak ditë më parë, ish-deputeti reagoi ashpër kundër kryebashkiakut të kryeqytetit, Erion Veliaj dhe kreut të Qeverisë, Edi Rama, duke i cilësuar ata si tradhtarë të kombit, teksa i krahasoi me kushëririn e Skënderbeut, Hamza Kastriotin.