Kanadezi Nicholas Latifi ka folur të martën për kërcënimet me vdekje dhe abuzimet që i janë bërë në rrjetet sociale lidhur me aksidentin që ndodhi më 12 dhjetor në Abu Dhabi, në garën e fundit të edicionit në Formula 1. Aksidenti i tij ndikoi që Max Verstappen i Red Bullit të fitonte titullin e kampionit para Lewis Hamiltonit.
Ngasësi i Williamsit, Latifi, bëri që në shteg të futej vetura e sigurisë, në fazën finale të garës. Kjo i dha rast Verstappenit të kalonte Hamiltonin e Mercedesit në xhiron e fundit.
Para aksidentit, Hamilton po marshonte drejt titullit të tetë të kampionit në Formula 1.
Në një komunikatë, Latifi ka thënë se ka vendosur të adresojë çështjen, pasi qëndroi jashtë rrjeteve sociale deri në kthimin e qetësisë.
“Kam pranuar mijëra mesazhe në llogaritë e mia në rrjetet sociale. Shumica ishin përkrahëse, por ka pasur shumë urrejtje dhe abuzim po ashtu”, ka shkruar 26-vjeçari.
“Siç e kemi parë herë pas here në sporte të ndryshme, mjafton një incident në kohën e gabuar që gjërat të dalin nga kontrolli dhe të nxjerrin më të keqen te njerëzit që veten e quajnë tifozë. Ajo që më ka shokuar më së shumti ishte toni ekstrem i urrejtjes, abuzimit dhe madje edhe kërcënimeve me vdekje që mora”, ka vazhduar Latifi.
Latifi i ka kërkuar falje skuadrës për përplasjen, ndërsa ka theksuar se pjesa tjetër ishte jashtë kontrollit të tij.
“Shumë prej mesazheve që mora javën e kaluar kanë kaluar kufirin, ishin shumë ekstreme. Brengosem se si sportistë të tjerë do të reagonin nëse një abuzim i tillë u bëhet në të ardhmen”.