Një profesor japonez ka zhvilluar një prototip të ekranit televiziv që mund ta lëpini dhe t’ua japë shijen e ushqimeve.
Pajisja e quajtur “Taste the TV” (“Shijoje televizorin”) përdor një grup prej 10 bombolave të shijes, të cilat spërkatin në kombinim për ta krijuar shijen e një ushqimi të caktuar.
Në epokën e koronavirusit, ky lloj i teknologjisë mund ta përforcojë mënyrën se si njerëzit lidhen dhe ndërveprojnë me botën e jashtme, tha Homei Miyashita, profesor në Universitetin Meiji në Tokio.
“Qëllimi është që të bëhet e mundshme që njerëzit të përjetojnë diçka si ngrënia e picës në restorant në anën tjetër të botës, edhe pse janë duke qëndruar në shtëpi”, shtoi ai.
Profesori japonez tha se prototipin e ekranit e ka zhvilluar gjatë vitit të kaluar dhe se versioni komercial do të kushtonte rreth 100.000 jenë ose rreth 770 euro, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.
Yuki Hou, studente në Universitetin Meiji, e demonstroi shijimin e ekranit para gazetarëve, duke thënë se ajo dëshiron që ekrani ta ketë shijen e çokollatës së ëmbël. Pas disa përsëritjeve, një zë i automatizuar e përsëriti porosinë dhe studentja tha: “Është një lloj si çokollatë me qumësht. Është e ëmbël si salca e çokollatës.”