Të paktën tre anëtarë të një ekipi vrasësish, të dënuar nga Arabia Saudite për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, janë duke jetuar dhe punuar në akomodim me shtatë yje brenda një kompleksi sigurie të menaxhuar nga qeveria në Riad, sipas një burimi të lidhur me pjesëtarë të lartë të inteligjencës saudite.
Vrasësit besohet se janë duke qëndruar në vila dhe ndërtesa të menaxhuara nga agjencia për siguri shtetërore e Arabisë Saudite, larg nga muret e burgjeve famëkeqe të saj. Burimi ka folur me dy dëshmitarë, të cilët pretendojnë se i kanë parë burrat e dënuar. Ata thanë se familjarët i vizitojnë shpesh këta persona, të cilët mund t’i përdorin sallat e fitnesit dhe hapësirat e punës.
Të gjithë ishin dënuar nga një gjykatë saudite, në një proces që gjerësisht është vlerësuar si mashtrim, ndonëse vetëm njëri nga ta, Salah al-Tubaigy, u identifikua. Disa ishin dënuar me vdekje, por më pas dënimi u ishte zbutur në burgim të përjetshëm, shkruan The Guardian.
Burimi konfirmoi se Tubaigy, shkencëtari i forenzikës që raportohet se e kishte copëtuar trupin e Khashoggit brenda konsullatës saudite në Stamboll, ishte njëri nga personat që është parë në qendrën e lartpërmendur në Riad. Raportohet se aty janë parë edhe Mustafa al-Madani dhe Mansour Abahussein, i cili akuzohet për udhëheqjen e operacionit.
Të dy dëshmitarët e kanë vizituar qendrën në Riad disa herë gjatë dy viteve të fundit. Ata thonë se burrat ishin të relaksuar dhe dukej se kryenin detyra normale. Vizitorët, përfshirë punëtorët e kopshtit dhe familjarët, shpesh e vizitojnë atë qendër, sipas burimit të inteligjencës.
Tubaigy, Abahussein dhe Madani ishin parë në këtë vend në fund të vitit 2019 dhe deri në mesin e vitit 2020. Dëshmitarët nuk i kanë zbuluar publikisht emrat e tyre nga frika e hakmarrjes nga Princi Mohammed dhe nga sigurimi shtetëror. Abahussein dhe Madani dihet se janë zyrtarë të inteligjencës, të punësuar nga sigurimi shtetëror. Shefi i tyre, Abdul Aziz bin Mohammed Al-Hoëairini, është parë me disa nga të akuzuarit dhe shpesh shihet duke e përdorur sallën e fitnesit në qendrën luksoze.