Ministria kineze e Sporteve u ka ndaluar tatuazhet futbollistëve të kombëtares dhe u ka kërkuar atyre që i kanë t’i heqin ato, në një kohë kur pushteti komunist synon t’u japë fund tendencave të cilësuara vulgare.
Nga muzika te lojërat online dhe mësimet private, Kina është përpjekur muajt e fundit të rimarrë kontrollin e rinisë së saj dhe të imponojë të tjera vlera, sipas saj “patriotike”.
“Futbollistët e ekipit kombëtar janë të ndaluar zyrtarisht të kenë tatuazhe të reja”, tha Ministria e Sporteve, duke u kërkuar atyre që i kanë ato që t’i heqin.
“Në rrethana të veçanta, tatuazhet duhet të mbulohen gjatë stërvitjeve dhe garave”, tha ministria në një deklaratë, e cila ndalon rekrutimin e çdo sportisti me tatuazhe.
Në përgjithësi, tatuazhet janë të papranueshme në Kinë, e cila mbetet një shoqëri konservatore. Por, ato kanë sukses në qytetet e mëdha, veçanërisht te brezi i ri.