Sekretarja e Jashtme Liz Truss tha se ajo do të aktivizojë Nenin 16 nëse palët nuk arrijnë të bien dakord për “zgjidhje të negociuar”
Britania do të tërhiqet nga Protokolli i Irlandës së Veriut nëse nuk arrihet një “zgjidhje e negociuar” me BE-në, tha sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.
Në një shkrim për “The Telegraph” të shtunën, Liz Truss, njëherësh kryenegociatore për Brexit-in, tha se ajo do të aktivizojë “klauzolën mbrojtëse” të Nenit 16 në protokoll, i cili u nënshkrua midis Britanisë dhe BE-së, për të shmangur një kufi tokësor midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës.
“Irlanda e Veriut nuk është në Tregun Unik dhe nuk duhet trajtuar sikur të ishte”, shkroi Truss.
“Ne po propozojmë një zgjidhje me sens të përbashkët – mallrat që shkojnë në BE duhet të kalojnë formalitetet doganore dhe ato që qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar jo”, shtoi ajo.
Truss tha se prioriteti i saj është “të mbrojë paqen dhe stabilitetin në Irlandën e Veriut”.
“Unë dua një zgjidhje të negociuar, por nëse duhet të përdorim dispozita legjitime duke përfshirë Nenin 16, unë jam e gatshme ta bëj këtë”, tha Truss.
Komentet e kryediplomates britanike erdhën në kohën kur pritet të jetë nikoqire e Maros Sefcovic-it, negociatorit të bllokut, në Chevening, Kent, të enjten e ardhshme për diskutime të mëtejshme mbi problemet e shkaktuara nga protokolli.
Sefcovic tashmë ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse Britania do të aktivizojë Nenin 16.
Protokolli i Irlandës së Veriut kërkon kontrolle kufitare për çdo produkt me bazë shtazore dhe bimore, duke përfshirë mishin e ngrirë dhe produktet e mishit të përpunuar, përpara transportit të tyre në Irlandën e Veriut, vend që ka mbetur i lidhur me rregulloret e BE-së.
Protokolli krijon një kufi tregtar de facto në Detin Irlandez midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar.
Mbretëria e Bashkuar u largua nga blloku më 31 janar 2020, si rezultat i një referendumi të vitit 2016 që i dha fund anëtarësimit më shumë se 40-vjeçar të vendit në klubin evropian.
Marrëveshja e nënshkruar nga palët përfshinte Protokollin e Irlandës së Veriut, i cili praktikisht shmang një kufi të fortë midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.
Irlanda e Veriut u përball me protesta sporadike në rrugë nga grupe besnike që refuzojnë protokollin dhe çdo kontroll mbi mallrat që vijnë nga pjesë të tjera Britanisë vitin e kaluar.