Përmes një deklarate publike, tenisti serb Novak Gjokoviq ka fajësuar agjentin e tij për deklarim të rremë në dokumentet e para udhëtimit drejt Australisë. Ai po ashtu ka pranuar se edhe pse ishte pozitiv me COVID-19 ka dalë në ngjarje publike.
Numri 1 i botës në tenis ka thënë se kjo do të jetë deklarata e fundit e tij para se Qeveria në Australi të vendosë nëse duhet rianuluar vizën para nisjes së “Australian Open”.
“The Guardian” ka renditur deklaratat e tij kundërthënëse të mëhershme dhe të deklaratës së fundit.
Çka tha Gjokoviqi para arritjes në Australi?
Më 1 janar, agjenti i Gjokoviqit plotësoi deklaratën e udhëtimit në Australi në emrin e tij duke shkruar “jo” kur u pyet se “a keni udhëtuar apo do të udhëtoni në 14 ditët e fundit para udhëtimit drejt Australisë?”
Gjokoviq qe përjashtuar nga kërkesa për vaksinim nga shefi i stafit shëndetësor në Federatën e Tenisit në Australi, me arsyetimin se kishte dalë pozitiv për COVID-19 më 16 dhjetor.
Çka tha Gjokoviqi në gjykatë?
Deklarata nën betim e Gjokoviqit në kërkesën për të apeluar anulimin e vizës përmbante këto të dhëna:
- 18 nëntor – Australia ia dha vizën
- 16 dhjetor – pozitiv për COVID-19
- 22 dhjetor – testi i dytë rezultoi negativ
- 1 janar – autorizoi agjentin ta plotësonte dokumentin e udhëtimit
- 2 janar – mori lejen për hyrje
- 4 janar – udhëtoi nga Spanja drejt Melbournet përmes Dubait
- 5 janar 11:30 – arriti në Melbourne
- 6 janar – iu anulua viza
Çfarë mospërputhje u shfaqën?
“The Guardian” dhe mediume tjera raportuan se Gjokoviqi ishte parë në ngjarje publike disa ditë pas rezultatit pozitiv më 16 dhjetor edhe pse Serbia kërkon vetizolim dyjavësh.
Këtu përfshihej një ceremoni e zbulimit të një pulle postare në Beograd, dhe një ngjarje e Federatës së Tenisit të Serbisë të cilën e postoi në Twitter më 17 dhjetor.
Më 18 dhjetor, gazeta franceze “L’Equipe” konfirmoi se mbajti një intervistë me Gjokoviqin.
Gjokoviqi u fotografua rrugëve të Beogradit më 25 dhjetor.
Çfarë thotë tash Gjokoviqi?
Në deklaratën e tij të re, Gjokoviqi pranoi mashtrimin.
- 14 dhjetor – kishte shkuar në një ndeshje basketbolli pas së cilës u raportua për shumë raste pozitive me COVID-19
- 16 dhjetor – bëri testin e shpejt që doli negativ dhe një PCR
- 17 dhjetor – mori pjesë në një ngjarje në Beorad pasi doli sërish negativ në testin rapid. “Isha pa simptoma dhe ndihesha mirë dhe s’mora njoftimin për testin pozitiv PCR deri në fund të ngjarjes”, ka shkruar Gjokoviq
- 18 dhjetor – edhe pse e dinte se ishte pozitiv doli në qendrën e tenisit të Beogradit për një intervistë me “L’Equipe” sepse “ndihej i obliguar” dhe “s’donte ta zhgënjente gazetarin”
Përse këto kanë rëndësi?
Deklarata e Gjokoviqit të mërkurën se ai s’kishte mësuar për rezultatin pozitiv deri më 17 dhjetor vjen pas deklaratës së mëhershme në gjykatë kur kishte pranuar se “është testuar dhe diagnostikuar” më 16 dhjetor dhe se letra e tij drejtuar zyrtarit të shëndetësisë në Australi përmendte datën 16 dhjetor.
Deklaratat e tij se agjenti ka bërë “gabim administrativ” ia mundësojnë Ministrisë së Migrimit t’ia anulojë vizën.
Çka s’po shpjegon Gjokoviqi?
Deklaratat e tenistit nuk adresojnë një raportim të “Der Spiegel” për anomalitë në testin e tij të 16 dhjetorit. Të hënën, kjo gazetë raportoi se kur u skanua QR kodi i testit të Gjokoviqit, në mesditë rezultati ishte “negativ”. Gjithsesi, një orë më pas, një skanim tjetër e nxori atë “pozitiv”. Të martën, “Der Spiegel” ka thënë se gjeti një anomali në versionin digjital të testit pozitiv të Gjokoviqit duke dhënë indikacione se rezultati mund të jetë nga 26 dhjetori dhe jo nga 16 dhjetori.
Për këtë, vëllai i Gjokoviqit, Gjorgje insistoi se “të gjitha dokumentet janë legale”.
Po ashtu Gjokoviqi s’ka shpjeguar përse kishte qëndruar pa maskë në një takim me fëmijët në kohën kur priste rezultatin e testit.
S’është bërë e ditur as nëse ai ia ka shpjeguar “L’Equipet” se ka qenë pozitiv në kohën e intervistimit.