Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka thënë se respektimi i masave anti COVID dhe kujdesi i shtuar sigurojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor. Thotë se nuk duhet të përsëritet ndërprerja e mësimit, por sipas saj, duhet tu përmbahemi kërkesave dhe propozimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.
“Që nga shfaqja e COVID-19, fëmijët kanë përjetuar një fëmijëri dramatikisht të ndryshme, që do ta mbajnë mend gjatë gjithë jetës së tyre. Kanë humbur orët mësimore, janë përballur me stres e presion të jashtëzakonshëm, ndarjen nga shokët, shoqet e mësuesit/et dhe janë ballafaquar me mungesën e rutinës ditore. Si në shumë vende të tjera nëpër botë, edhe Kosova po vazhdon një vit tjetër shkollor në kushte të COVID-19. Ndërprerja e mësimit s’duhet të përsëritet”, shkruan Nagavci në llogarinë e saj në Facebook.
“Task Forca për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në MASHTI sot ka mbajtur takimin e radhës dhe ka dhënë disa rekomandime, me theks të veçantë në respektimin me përpikëri të masave anti-COVID-19 nga të gjithë aktorët e përfshirë në sistemin edukativ-arsimor (prindërit, nxënësit, mësimdhënësit, drejtoritë e shkollave, DKA-të, etj.), sipas udhëzimeve të IKSHPK-së dhe në përputhje me gjendjen epidemiologjike në vend”, theksoi ajo.
“Përfaqësuesit e IKSHPK-së, gjatë takimit, kanë ritheksuar nevojën e vaksinimit dhe respektimit rigoroz të masave parandaluese kundër pandemisë, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik dhe të sigurohet mbarëvajtja e mësimit. Që fëmijët të vazhdojnë të mësojnë, ne të gjithë duhet të respektojmë dhe zbatojmë masat mbrojtëse për COVID-19. Ky brez nuk mund të përballojë më ndërprerje në arsimin e tyre, prandaj ne duhet t’i mbajmë shkollat hapur. Nga kjo varet e tashmja e fëmijëve tanë, e ardhmja e brezit të ri”, ka thënë Nagavci.