Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se, zgjedhjet e 6 marsit janë mundësi për qytetarët për zgjedhur kryetarët në disa bashki.
Në një prononcim për mediet nga Shkodra, Meta foli për dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore më 6 mars në 6 bashki.
“Vota është forca e vërtetë e qytetarit në demokraci dhe nuk duhet humbur kurrë mundësia për qytetarët që të tregojnë forcën, vullnetin e tyre dhe të zgjedhin kandidatin apo kandidaten më të mirë që do të drejtojë bashkinë e tyre në të ardhmen, në të 6 bashkitë ku kjo garë është çelur zyrtarisht”, tha Meta.
Meta u shpreh se, “ky është një moment i rëndësishëm për të rindërtuar, rivendosur, për të rehabilituar institucionin e votës së lirë në vend”.
“Natyrisht, nuk janë zgjedhje kombëtare, apo të përgjithshme vendore, por është një proces që përfshin disa nga bashkitë më kryesore të vendit”, theksoi ai.
Meta u shpreh se “problematika me të cilën ndeshet vendi ynë prej kohësh ka të bëjë me respektimin që duhet të bëhet ndaj votës së lirë”.
“Unë i nxis të gjithë aktorët të dëshmojnë reflektimin e duhur e t’i shërbejnë një procesi shembullor që natyrisht do të jetë në vëmendjen e institucioneve që kanë bërë vërejtje për standardet e zgjedhjeve në vendin tonë”, tha ai.
Meta shtoi gjithashtu se, “po punojmë me Maqedoninë e Veriut që brenda muajve të ardhshëm të çelim negociatat me BE dhe ky është një moment për të treguar një reflektim nga të gjithë institucionet, nga forcat dhe aktorët politikë, shoqëria civile, media, që e ftoj të jetë sa më objektive dhe transparente dhe nga qytetarët në këto 6 bashki ku do të votohet më 6 mars”.
I pyetur nëse në këtë rast po shmanget PD dhe po favorizohet PS, Meta tha se, nuk po shmanget asnjë parti politike dhe se në këtë rast të favorizuar janë qytetarët që do të kenë në 6 mars mundësinë të zgjedhin midis disa kandidatëve.