Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Kosova nuk po e njeh e as sheh rrezikun nga lufta që mund të shpërthejë mes Rusisë dhe Ukrainës. Ai shkroi në Facebook se heshtja dhe “paraliza” e Kosovës është e rrezikshme në kriza ndërkombëtare, derisa shtoi se duhet dënuar kërcënimin “e tmerrshëm rus në Ukrainë”.
“Nga Kosova askush nuk pret armë, por të paktën një deklaratë! Apo thjeshtë kjo heshtje e Kosovës ka të bëjë me mungesë të qëndrimit të qartë kundër agresionit rus, me neutralitetin tonë në politikën e jashtme? Apo po pret Kosova që dikush t’ia kërkojë deklarimin”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai përmendi 2014-n kur Qeveria e vendit i kishte vendosur sanksione Rusisë, pas aneksimit të Krimesë.
“Jam shumë krenar që me vendosmërinë time Qeveria e Kosovës vendosi sanksione kundër Rusisë, kur Rusia e aneksoi Krimenë më 2014. Këtë, nuk ma kërkoi askush, as këndej e as përtej detit! Mirëpo, qëllimi ishte i qartë, që ne si shtet i vogël të ofrojmë mbështetje publike dhe të rreshtohemi karshi botës demokratike! Çfarë synon Putini sot është njëjtë se çfarë synonte Hitleri më 1939 në Evropë dhe Millosheviqi më 1989 në Ballkan! Demokracitë – edhe të vogla, nuk guxojnë kurrë të dorëzohen para regjimeve autoritare dhe synimeve pushtuese!”, ka shkruar ish-ministri i Punëve të Jashtme.
Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se vendi që e udhëheq qëndron përkrah Ukrainës, shtet që s’e njeh Kosovën, në një konflikt të mundshëm me Rusinë.
Osmani një gjë të tillë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Tëitter.
“Republika e Kosovës qëndron përkrah Ukrainës”, ka shkruar ajo.