Njerëzit nuk duhet të jenë në ankth pasi autoritetet po e mbajnë situatën nën kontroll, kështu që nuk ka arsye për panik, deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një video-fjalim drejtuar kombit.
“Sot u mbajt një mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës. Rezultat i takimit… ishin përfundimet e rëndësishme për audiencën tonë, për qytetarët ukrainas. Ato janë të thjeshta, gjithçka është nën kontroll dhe nuk ka arsye për panik. Çështja kryesore në rendin e ditës, natyrisht, ishte situata në Ukrainën Lindore”, theksoi Zelensky.
Sipas liderit ukrainas, autoritetet po punojnë për një reduktim të plotë të përshkallëzimit dhe për të përparuar në rrugën drejt një zgjidhjeje paqësore.
”Ne jemi të vetëdijshëm për gjithçka, jemi gati për gjithçka, besojmë në më të mirën dhe bëjmë gjithçka për këtë qëllim”, deklaroi ai.
”Partnerët tanë, diplomatët tanë dhe mbi të gjitha ushtarakët tanë janë njerëzit tanë më të mirë që na mbrojnë dhe që edhe ne duhet t’i mbrojmë”, shtoi Zelensky.
Një mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, e kryesuar nga presidenti i Ukrainës, u zhvillua dje.
Ndër çështjet e diskutuara ishin masat për mbrojtjen e sigurisë kombëtare nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme, si dhe gjendja aktuale e ekonomisë, energjetikës dhe lufta kundër pandemisë së koronavirusit.




