Britania e Madhe do të japë dhjetëra miliona sterlina, në një përpjekje për të forcuar demokracinë në Ukrainë dhe për të reduktuar varësinë e vendit nga energjia ruse, ndërsa kryeministri Boris Johnson shpreson se mund të zbusë tensionet në ish-republikën sovjetike.
Kryeministri do të udhëtojë për në Ukrainë, pasi tensionet mbetën në një nivel të lartë midis Kremlinit dhe Kievit.
Përpara kësaj vizite, Johnson tha se “është e drejta e çdo ukrainasi të përcaktojë se si qeveriset. Si një mike dhe një partnere demokratike, Londra do të vazhdojë të mbështesë sovranitetin e Ukrainës përballë atyre që kërkojnë ta shkatërrojnë atë. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të tërhiqet dhe të angazhohet në dialog për të gjetur një zgjidhje diplomatike dhe për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme”.
Johnson duhej të bisedonte dje presidentin rus Vladimir Putin, por kjo nuk u mundësua për shkak të problemeve të shefit të qeverisë britanike me ”partygate”.
Zëvendëskryeministri Dominic Raab mbrojti Johnson mbi pamundësinë për të folur me liderin rus duke theksuar se ”Johnson kishte udhëhequr përgjigjen transatlantike ndaj krizës”.
“Situata në Ukrainë është jashtëzakonisht serioze. Ne duam që diplomacia të jetë e suksesshme”, shtoi Raab.




