Kapiteni i Arsenalit, Granit Xhaka, u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve të tij që të marrin veten pas humbjes së parë të stinorit ndaj Liverpoolit, e të përqendrohen në sfidën e fundjavës së ardhshme që Arsenali e luan ndaj rivalit lokal, Tottenhamit.
Arsenali të shtunën pësoi 3:1 në udhëtim ndaj Liverpoolit. Ishte humbja e parë e Arsenalit në Premier League, pas dy fitoreve rresht. Xhaka luajti tërë ndeshjen, transmeton Koha Ditore.
“Liverpooli ka një skuadër të mirë, një skuadër të madhe me lojtarë të mëdhenj dhe është e vështirë të luash në Anfield. Është e vështirë për shumë skuadra, jo vetëm për ne. Është vetëm një ndeshje dhe ne kemi humbur, por duhet të jemi pozitivë për javët e ardhshme”, ka thënë Xhaka. “Ne kemi treguar në vitet e fundit se mund të kemi ndeshje shumë të mira kundër tyre. Të bëhemi gati këtë javë për ndeshje ndaj Tottenhamit”.