Një aeroplan i vogël që transportonte lojtarë të pickleball-it u rrëzua midis pemëve në Texas Hill Country, duke vrarë të pesë personat që ndosheshin në bord, thanë autoritetet.
Aksidenti ndodhi rreth orës 23:00 në Wimberley, një qytet rreth 65 kilometra në jugperëndim të Austin, tha Departamenti i Sigurisë Publike i Teksasit.
“Piloti dhe katër pasagjerët në bord u shpallën të vdekur në vendngjarje”, u tha gazetarëve rreshteri Billy Ray.
Emrat e viktimave nuk u bënë të ditur menjëherë nga autoritetet, megjithëse Klubi i Pickleball-it Amarillo në Amarillo të Teksasit tha se ata ishin anëtarë që po fluturonin për në një turne.
Aeroplani, një Cessna 421C, u ngrit nga Amarillo dhe po shkonte drejt Aeroportit Kombëtar të New Braunfels, sipas historikut të fluturimit. Fotot ajrore të postuara në internet nga Austin American-Statesman treguan avionin të shkatërruar plotësisht në një zonë të pyllëzuar.
Të paktën një pilot në zonë konfirmoi se pajisja emergjente e lokacionit të aeroplanit me probleme kishte lëshuar një sinjal rreziku.
Në zonën e New Braunfels kishte kryesisht re pak para rrëzimit dhe pati një stuhi dy orë më vonë, tha Shërbimi Kombëtar i Motit.
Wimberley, me një popullsi prej rreth 3,000 banorësh, dhe New Braunfels, me një popullsi prej rreth 116,000 banorësh, janë destinacione turistike në Texas Hill Country.

