Përgjigja e SHBA-së, BE-së dhe NATO-s ndaj Rusisë do të jetë “e bashkuar dhe e vendosur” nëse ajo pushton Ukrainën ndërsa Moska do të paguajë një çmim shumë të lartë, tha kancelari gjerman Olaf Scholz në një intervistë për Washington Post, në prag të vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë.
Duke hedhur poshtë akuzat se Gjermania duket të jetë një aleate jo e besueshme në krizën ukrainase, Scholz siguroi se Gjermania është një partnere shumë e mirë ndërsa konfirmoi se ai do të dërgojë trupa në shtetet baltike.
“Në Nord Stream 2 të gjitha opsionet janë në tryezë në rast të një pushtimi rus të Ukrainës”, tha Scholz.
“Ne jemi të gatshëm të marrim të gjitha masat e nevojshme me aleatët tanë dhe kemi një marrëveshje shumë të qartë me qeverinë amerikane për tranzitin e gazit dhe sovranitetin e energjisë në Evropë”, tha ai.




