I biri i hokeistit legjendar të NHL-së, Chris Chelios, po luan për Kinën në lojërat olimpike dimërore “Pekini 2022”. Chelios nuk do të paraqitet me emrin e tij amerikan në përbërjen e ekipit kinez. Sikurse sportistët e tjerë të lindur në Amerikën e Veriut e që e përfaqësojnë Kinën në këto lojëra, edhe Jake Chelios do të paraqitet me emër kinez. Në çdo ndeshje zyrtare olimpike ai do të njihet me emrin Jieke Kailiaosi.
“Emri im i ri? Më pëlqen, është fantastik. Është pjesë e përvojës. Prejse jam këtu gjithçka është e re dhe fantastike për mua dhe kjo është pjesa më e bukur kur luan larg vendlindjes tënde”, tha Chelios. “I di dy apo tri fjalë në gjuhën kineze, por as nuk e kam marrë mundin ta mësoj për shkak se është shumë e vështirë”.
Kina është e vendosur t’i popullarizojë sportet dimërore dhe të përfaqësohet denjësisht në programin olimpik, madje edhe në ngjarjet ku nuk ka pasur sukses në të shkuarën. Në hokej, skijim të stilit të lirë dhe patinazh artistik, Kina ka sportistë që kanë lindur dhe janë rritur në Amerikën e Veriut. Sportistët e natyralizuar vijnë prej origjinave të ndryshme. Ndryshe nga Chelios, shumë prej tyre kanë trashëgimi kineze dhe i shohin Lojërat si një mënyrë për të forcuar lidhjen me origjinën e tyre familjare. Më e famshmja është Eileen Gu, që në programin olimpik njihet si Gu Ailing, një skiatore e stilit të lirë e cila ka thënë se zgjodhi ta përfaqësojë Kinën sepse ishte e bindur se mund të kishte një ndikim më të madh si model. Në fakt, ajo e mbajti fjalën e saj kur të martën e fitoi medaljen e artë në garën e madhe ajrore.
Portierja e lindur në Vancouver, Kimberly Newell, është një tjetër sportiste në qendër të vëmendjes në Kinë, pasi bëri pesë pritje për t’ia dhënë Kinës fitoren 2:1 ndaj Japonisë në hokej. Ajo po luan me emrin Zhou Jiaying dhe shpjegoi se Zhou është emri i familjes së nënës së saj dhe Jiaying emri kinez që i ishte vënë kur ishte fëmijë nga nëna e saj. Në fillim të një bisede mes Newell dhe gazetarëve, një anëtar i stafit të ekipit që shoqëronte portieren tha se ajo do të fliste vetëm në gjuhën kineze.
“Unë dua të jap më të mirën time gjatë gjithë turneut”, tha ajo, sipas përkthimit të punonjësit.
Newell luajti hokej në kolegj për Princetonin dhe gjithashtu luajti për përfaqësuesen U18 të Kanadasë, duke bërë 39 pritje në ndeshjen për medalje së artë, për të mposhtur SHBA-në në Kampionatin Botëror në vitin 2013.
Pas dy vjetësh jashtë hokejit, Newell u rekrutua në vitin 2018 për të luajtur për Shenzhen KRS Vanke Rays, një klub në pronësi kineze që luajti fillimisht në Kanada, më pas në ligën ruse dhe u bë bazë për përfaqësuesen kinez me pamje të re. Triumfi ndaj Japonisë është një përparim për hokejin kinez, i cili për herë të fundit luajti në një turne olimpik në vitin 2010.
Lojtarë të tjerë kanë marrë rrugë të ndryshme për të qenë pjesë e ekipeve kineze. Ish-portieri i NHL-së, Jeremy Smith, i cili ka emrin e tij të ri Jieruimi Shimisi të shkruar në maskën e tij me karaktere kineze – e pa një lëvizje në Kinë si mënyrë për të rinovuar karrierën e tij pas 10 ndeshjeve me Coloradon në vitin 2017. Në vitin 2019 ai nënshkroi me Kunlun Red Star, një klub në pronësi kineze që luan në Kontinental Hockey League me bazë në Rusi, si një nga disa amerikano-veriorë që i dha skuadrës një bërthamë me përvojë dhe ishte mentor për lojtarët kinezë. Vitin e kaluar ai u pyet nëse do të luante edhe për Kinën.
“Nëse dikush do të ishte në vendim tim do ta kuptonte se është privilegj të luash hokej për cilindo shtet. Për mua hokeji është profesion”, tha Smith.
Ndeshja e tij e parë për Kinën do të jetë të enjten kundër SHBA-së, të cilën ai e përfaqësoi në Kampionatin Botëror të Rinjve në vitin 2008.
“Është ndeshje mjaft unike”, tha Smith. “Jo shumë njerëz mund të thonë se kanë luajtur për dhe kundër SHBA-së”.
Shumë vende në një mori sportesh kanë angazhuar sportistë të natyralizuar për dekada. Rusia fitoi tri medalje të arta olimpike me patinazhistin e shpejtësisë, të lindur në Korenë e Jugut, Viktor Ahn. Vendi pritës i Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2018, Koreja e Jugut, natyralizoi sportistë nga SHBA-ja, Kanadaja, Rusia dhe Gjermania. Kinës iu desh më shumë kohë për të përqafuar idenë, pjesërisht për shkak të rregullave të rrepta të shtetësisë. Trashëgimia etnike kineze ose qëndrimi afatgjatë kërkohet zakonisht për shtetësinë, dhe qytetarëve të rinj u duhet patjetër të heqin dorë nga kombësitë e tjera për pasaportën e Kinës. Nuk është e qartë nëse janë bërë përjashtime për këta olimpistë, ose nëse ndonjë prej tyre ende ka pasaportë tjetër.
Të garosh si sportist i natyralizuar për një vend me 1.4 miliardë banorë mund të jetë vendim dërrmues. Patinazhistja Zhu Yi, e cila lindi në Kaliforni nga prindër kinezë dhe fitoi një titull kombëtar të SHBA-së, si Beverly Zhu, u kritikua në mediat sociale kineze pasi u rrëzua vazhdimisht në garën ekipore dhe përfundoi garat e së hënës në lot. Disa në SHBA shprehën gëzim për rënien e saj për shkak të ndryshimit të besnikërisë sportive.
“Jam e lehtësuar, sepse ka shumë presion dhe njerëzit presin shumë prej meje”, tha Zhu të hënën. “Sinqerisht unë jam stërvitur fort dhe mendoj se gjëja kryesore është përballimi i presionit mendor”.