Kreu i demokratëve Lulzim Basha, gjatë një dalje për mediet u shpreh se Agim Kajmaku ka problemet me ligjin, jo pse ka qenë emigrant, as pse ka ndryshuar emrin. Të tillë ka pothuajse çdo familje shqiptare. Agim Kajmaku është arrestuar dhe është në kërkim nga drejtësia greke, sepse ka përdorur para të falsifikuara.
Basha tha se “Agim Kajmaku nuk mund të bëjë dot viktimën, por ai duhet të përballet me drejtësinë shqiptare dhe greke për fakte konkrete, të bëra publike nga Partia Demokratike dhe për të cilat nuk ka thënë asnjë fjalë”.
Faktet sipas PD:
- Agim Kajmaku me emrin Jorgo Toto është arrestuar në Greqi në vitin 2003 për një krim që dënohet deri në 10 vjet burg.
- Agim Kajmaku e ka fshehur arrestimin në Formularin e Dekriminalizimit.
- Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sot e kësaj dite, është me masë arresti me burg në fuqi në Greqi.
- Agim Kajmaku me emrin Jorgo Toto, me proces penal të hapur në Greqi, është në kërkim nga drejtësia greke.
- Agim Kajmaku ndalohet nga Ligji i Dekriminalizimit të jetë kandidat për kryetar bashkie. Për fshehjen e krimit, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe burg deri në 4 vjet.
Kreu i demokratëve theksoi se “përpara se të dalë nga Bashkia e Vorës me pranga në duar, Agim Kajmaku duhet t’i japë përgjigje një pyetje shumë të thjeshtë: A është ai personi i arrestuar në flagrancë në janar 2003 me emrin Jorgo Toto?”/ATSH/