Parlamenti i Sllovakisë të mërkurën aprovoi një traktat ushtarak të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton AP.
Marrëveshja e Bashkëpunimit të Mbrojtjes kaloi me 79 vota në legjislaturën me 150 deputetë.
Traktati i lejon ushtrisë amerikane që të përdorë dy baza të forcave ajrore sllovake për 10 vjet ndërsa Sllovakia do të marrë 100 milionë dollarë nga SHBA-ja për t’i modernizuar ato.
Votimi ndodhi në mes të frikës që Rusia mund ta pushtojë Ukrainën. Moska ka mbledhur më shumë se 100 mijë trupa afër kufirit ukrainas, por insiston se nuk ka plane për sulm.
Marrëveshja është kundërshtuar nga opozita parlamentare, e cila pretendon se ajo do ta komprometojë sovranitetin e shtetit dhe se do ta bëjë të mundshëm prezencën e përhershme të trupave amerikane në territorin sllovak.