“Shqipëria nuk është pranë Rusisë, kështu që ju nuk e keni atë afërsi fizike me një kundërshtar. Por Ballkani është i rëndësishëm dhe Rusia ka ende shumë ndikim atje. Në fund të fundit, rusët janë sllavë dhe po kështu është pjesa më e madhe e Ballkanit, me shumë pak përjashtime, si Greqia, edhe Rusia e ka luajtur gjithmonë atë kartë për të manipuluar dhe kontrolluar situatën atje”, ka shkruar mediumi amerikan “Business Insider” në analizën për rolin e Forcave Operacionale Speciale Amerikane (SOCEUR) në Shqipëri
Ngritja e shtabit të bazës së Forcave Operacionale Speciale Amerikane (SOCEUR) në Shqipëri vijon të komentohet edhe nga mediat amerikane të cilat kanë shkruar për ngritjen e shtabit të forcave speciale të SHBA-së në Shqipëri, duke hedhur dritë mbi ato që fshihen pas lëvizjes së amerikanëve.
Portali i njohur amerikan “Business Insider” i ka kushtuar një shkrim të gjatë bazës së SOCEUR në Shqipëri, ku qëllimin e saj e lidh me Rusinë. Sipas saj, Moska mund të tentojë skenarë destabilizues në rajonin e Ballkanit dhe forcat speciale amerikane do të angazhohen në misione të ndryshme.
Ndërkohë është folur shpesh se Rusia ka mbështetur dhe shumë protesta e tentativa për kaos në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor nga disa politikanë. Nëse tentohet sërish që këto vende të futen në krizë, sipas analizës së këtij mediumi, ekziston mundësia që të angazhohen forcat amerikane me bazë në Shqipëri.
“Ndërsa tensionet me Rusinë rriten, Moska mund të përpiqet të përdorë lidhje të tilla për të nxitur destabilizim. Tashmë e ka bërë këtë në të kaluarën e afërt – në vitin 2016, oficerët e inteligjencës ruse u përpoqën të organizonin një grusht shteti për të rrëzuar Qeverinë në Mal të Zi . Moska kritikoi gjithashtu pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO në vitin 2020”, thekson shkrimi.
Portali “Business Insider”, duke iu referuar një burimi, shprehet se Rusia vijon të ketë ambicie për Ballkanin, ndërsa deklaron se forcat speciale do të angazhohen dhe në misione të brendshme. “Aktivitetet e kryera nga forcat e operacioneve speciale të SHBA-së në selinë e re ka të ngjarë të përqendrohen në mbrojtjen e brendshme të jashtme, çështjet civile dhe operacionet psikologjike, tha burimi për “Business Insider”.
“Shqipëria nuk është pranë Rusisë, kështu që ju nuk e keni atë afërsi fizike me një kundërshtar. Por Ballkani është i rëndësishëm dhe Rusia ka ende shumë ndikim atje. Në fund të fundit, rusët janë sllavë dhe po kështu është pjesa më e madhe e Ballkanit, me shumë pak përjashtime, si Greqia, dhe Rusia e ka luajtur gjithmonë atë kartë për të manipuluar dhe kontrolluar situatën atje”, ka thënë burimi i “Insider”.
Mediumi amerikan në shkrimin për bazën e SOCEUR në Shqipëri i referohet edhe një operatori të Beretave të Gjelbra Amerikane në pension.
“Sa më shumë akses të kemi, aq më mirë do të jemi të pozicionuar për të vepruar”, tha operatori i Beretave të Gjelbra Amerikane në pension. “Më pas, ne mund ta përdorim këtë akses në avantazhin tonë, nëse na ngarkohen të operojmë”, ka thënë ai.
Në shkrim përmendet edhe afrimi i Shqipërisë me Turqinë. Sipas portalit amerikan, ngritja e kësaj baze lidhet edhe me këtë çështje.
“Turqia është gjithashtu një faktor në rajon. Turqia ka investuar shumë në Shqipëri dhe të dyja janë anëtare të NATO-s, si dhe vende me shumicë myslimane, por nën presidentin Rexhep Tajip Erdogan, Turqia është larguar vazhdimisht nga aleanca transatlantike, duke ngritur shqetësime për pjesëmarrjen dhe operacionet e NATO-s në një pjesë të rëndësishme të botës. Vendimi i SOCEUR për të vendosur selinë e re të operacioneve speciale në Shqipëri mund të jetë një përpjekje me takt për të ruajtur një pjesë të këtij aksesi ose për të mbajtur Turqinë nga tërheqja e vendeve të tjera të NATO-s me të. Gatishmëria e Shqipërisë për të pritur selinë padyshim luajti një rol, pasi qeveritë e tjera mund të ishin përballur me kundërshtimin e brendshëm”, thuhet aty.
Dhjetë ditë më parë, gjeneralmajori amerikan, David Tabor, në një intervistë për Top News ka treguar arsyet se pse Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën përzgjodhi Shqipërinë për të ngritur një shtab të bazës së Forcave Operacionale Speciale.
“Pozicioni gjeografik që ka Shqipëria, përforcuar edhe nga partneriteti i shkëlqyer që SHBA ka pasur me forcat shqiptare të operacioneve speciale, duke shtuar këtu edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të Qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar”, janë arsyeja kryesore që, sipas gjeneralit amerikan Tabor, Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën përzgjodhi Shqipërinë.
Gjenerali amerikan ka mohuar se baza ruse në Nish të Serbisë te ketë qenë motivi i ngritjes së Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së në Shqipëri. Sipas gjeneralmajorit amerikan, David Tabor, komanda që po ngrihet në Shqipëri është një qendër komandimi për operacionet speciale amerikane në Evropë dhe nuk do të ketë bashkëpunim me vendet e tjera aleate, përveçse me Shqipërinë nëse do të ketë interes reciprok.
Me 14 janar, Komanda Evropiane e SHBA njoftoi se po krijonte një seli të re në Ballkan – një njësi operacionesh speciale me bazë në Shqipëri që do të ishte pjesë e një përpjekjeje të përgjithshme të Qeverisë amerikane për të rritur ndikimin e Perëndimit dhe për të siguruar stabilitet në rajon. Njësia do të jetë përgjegjëse për sigurimin e ndërveprimit midis forcave amerikane dhe shqiptare, si dhe aksesin strategjik në qendrat kryesore ushtarake të Ballkanit.