Trajneri i Chicago Fire, Ezra Hendrickson është shumë i lumtur që në ekipin e tij do të ketë një lojtar të kalibrit si Xherdan Shaqiri.
Ekipi nga liga MLS e SHBA-së, të mërkurën mbrëma e ka zyrtarizuar Shaqirin, ndërsa trajneri Hendrickson një ditë më vonë ka thënë se 30-vjeçari do ta ndihmojë shumë Chicagon në sezonin e ri që nis në fund të këtij muaji.
Shaqiri iu bashkua ekipit amerikan nga Lyoni për shtatë milionë euro dhe firmosi kontratë deri në fund të vitit 2024.
“Po ndihem shumë mirë që kemi transferuar një lojtar si Xherdan Shaqiri. Kam biseduar me të javën e shkuar dhe qysh në minutat e para të bisedës në telefon e kam kuptuar se sa shumë dëshironte të ishte pjesë e ekipit tonë. Ai do të na ndihmojë shumë dhe me padurim po e pres të na bashkohet në stërvitje”, është shprehur Hendrickson, i cili meritat më të mëdha për transferimin e Shaqirit i ka drejtori sportiv Georg Heitz. “Kemi një staf teknik të mrekullueshëm. Georgun e ka ndihmuar historia që e ka pasur më herët me Shaqirin për ta sjellë këtu. Ne të gjithë shpresonim se do të ndodhte ky transferim por nuk ishim shumë të sigurt deri para dhjetë ditësh”.
Te Chicago, Shaqiri do ta bartë fanellën me numrin dhjetë ndërsa edhe në fushë do të ketë një rol të tillë. Ai pritet të debutojë te Chicago më 27 shkurt në ndeshjen në udhëtim ndaj Interi Miamit.
“Plani është që ta përdorim si numër dhjetë. Ne e dimë se ai është shumë fleksibil dhe mund të luajë përpara në sulm. Ne luajmë me sistemin 4-2-3-1 dhe une mendoj se Shaqiri përpara mund të luajë në secilën pozitë. Shkathtësia e tij do të na ndihmojë shumë të kemi rezultate të mira”, ka thënë Hendrickson. “Ai është një lojtar special që ka një karrierë të madhe dhe të suksesshme. Mendoj se ai do t’i japë shumë këtij ekipi”. Te Chicago ka thënë se Shaqiri është në pritje të vizës dhe së shpejti do t’i bashkohet ekipit.