Tensioni mbetet shumë i lartë, pas rritjes së bombardimeve në Ukrainën lindore. Rusia do të zhvillojë nesër stërvitje të reja të forcave të saj të “parandalimit strategjik”, nën mbikëqyrjen personale të presidentit Vladimr Putin. Në një deklaratë, ministria ruse e Mbrojtjes, deklaroi se do të lëshohen raketat balistike dhe ato të lundrimit.
“Është planifikuar lëshimi i raketave balistike dhe të lundrimit. Forcat e Hapësirës Ajrore, Distrikti Ushtarak Jugor, Forcat Raketore Strategjike, Deti i Zi dhe Flotat Veriore, janë të përfshira”.
“Stërvitja e planifikuar e forcave të parandalimit strategjik synon të kontrollojë gatishmërinë e komandave ushtarake dhe ekuipazheve të sistemeve raketore, anijeve luftarake dhe bombarduesve strategjikë për të përmbushur misionet e tyre dhe verifikimin e besueshmërisë së armëve të forcave strategjike bërthamore dhe konvencionale”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes ruse.
Stërvitjet “testojnë” forcën e të ashtuquajturës “triadë bërthamore”, domethënë arsenalin e plotë atomik, që zvogëlon shanset për një sulm bërthamor armik. Putin do të mbikëqyrë personalisht manovrat, të cilat ndër të tjera do të simulojnë një sulm bërthamor. Stërvitjet strategjike ishin planifikuar më parë, por njoftimi i Moskës erdhi sot.
Qeveritë perëndimore kishin paralajmëruar se Rusia po planifikonte të zhvillonte stërvitjet strategjike bërthamore këtë muaj, dhe jo në fund të verës, siç është zakon. Stërvitjet përkojnë me ditën e fundit të stërvitjeve ushtarake të Rusisë në Bjellorusi mes shqetësimeve se Rusia po përgatit një pushtim të Ukrainës.
Ndërkohë sot, Vladimir Putin do të takohet në Kremlin me aleatin e tij bjellorus, Alexander Lukashenko. Fati i 30 000 ushtarëve rusë të dislokuar në Bjellorusi, në kufirin me Ukrainën, është vënë në pikëpyetje pas përfundimit të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake që do të zhvillohen nesër.