Një 24-vjeçar shqiptar është në radhët e vullnetarëve krah ukrainasve në kufirin me Rusinë. Emanuel Bazanji, një ish-ushtar i ushtrisë shqiptare i është bashkuar para pak muajsh komandës së një ish-oficeri ushtarak gjeorgjian të quajtur Mamuka Mamulashvili. “Legjioni Kombëtar i Gjeorgjisë” vepronte si njësi e vijës së parë në vitet e luftës në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë.
Në një reportazh të gjatë të revistës “Coffee or Die Magazine” Bazanji tha se “ajo që na bashkon është dashuria për lirinë, dashuria për demokracinë dhe dashuria për të ndihmuar njerëzit” duke hedhur poshtë akuzat se ai ishte një “mercenar”.
“Ne nuk paguhemi këtu, nuk po i kërkojmë qeverisë ukrainase asgjë, ne jemi vetëm këtu për t’i ndihmuar këta njerëz të kenë një të ardhme më të mirë. Kjo është ajo që na bashkon, të shohim njerëzit të jetojnë të lumtur dhe të lirë” – tha 24-vjeçari atëherë për revistën.
Por ministri i jashtëm i Rusisë, Sergery Lavrov tha se mercenarë nga Ballkani kanë shkuar të luftojnë për Ukrainën.
Në një intervistë për televizionin Russia Today, Lavrov deklaroi se “kemi informacione që sugjerojnë se mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja po rekrutohen për tu dërguar në zonën e Donbass”.
Pas deklaratës së Lavrov, reagoi edhe Tirana zyrtare që thirri ambasadorin rus në Tiranë të cilit i kërkoi që deklarata të përgënjeshtrohej.
“MEPJ hedh poshtë kategorikisht pretendimet e publikuara sot në agjencinë e lajmeve ruse TAS dhe dyshimet e ngritura nga Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov, për praninë e “mercenarëve shqiptarë” në Ukrainë. Në shenjë proteste është thërritur Ambasadori i Federatës Ruse të cilit i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit” – thuhet në njoftim.
Vetë Bazanji ka reaguar për TCH pas deklaratës së ministrit Lavrov.
“Nuk më bën aspak përshtypje kjo deklaratë. Ka një muaj që televizionet ruse publikojnë foton time duke përdorur epitete të ndryshme. Unë nuk jam mercenar siç pretendon Rusia. Kam ardhur në Ukrainë përpara dy vitesh dhe jam pranuar në ushtrinë e Ukrainës përmes të gjithë procedurës, që atëherë dhe jo ditët e fundit” – tha Bazanji. ©LAPSI.al