Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ka reaguar pas njoftimit nga kryeministri kroat i cili deklaroi se pas zhvillimeve të fundit mes Rusisë dhe Ukrainës, ushtria kroate është vendosur në gatishmëri.
Vuçiç bëri me dije se kjo është një e drejtë që i takon Kroacisë ta vendosë, ndërsa sqaroi se Serbia nuk do ta bëjë diçka të tillë.
“Nuk kemi arsye për të ngritur gatishmërinë luftarake”, tha Vuçiç.
Duke iu përgjigjur pyetjes se Beogradi lidhur me këtë situatë po “ulet në dy karrige”, Vuçiç tha se Serbia e ka karrigen e saj dhe se presionet ndaj vendit janë të mëdha dhe se do të jetë e vështirë të durohet.
Ndër të tjera Vuçiç tha se Serbia do të vazhdojë të respektojë integritetin territorial, por nuk do t’i bashkohet sanksioneve të Rusisë.
“Serbia do t’i përmbahet çdo gjëje që ka të bëjë me integritetin territorial dhe për sa i përket sanksioneve, Serbia nuk do t’i bashkohet, të paktën për aq kohë sa të jem president de facto i Serbisë”, tha ai.