Gjykata penale e Luzernit ka shpallur fajtor një kosovar për tentativë vrasje. Dënimi që i është shqiptuar atij është gjashtë vjet e tre muaj burgim dhe dhjetë vjet dëbim nga vendi.
I dënuari nuk dëshiron ta pranojë vendimin.
Procesi ka përfunduar para gjykatës penale tri javë më parë ndërsa aktgjykimi ishte lënë për më vonë, shkruan albinfo.ch. Me shpalljen e aktgjykimit, procesi është i përfunduar.
Dy kunetër që jetojnë në të njëjtin fshat të Lucernit ishin përleshur para tri vitesh. Njëri kishte dalë nga përleshja me njërin krah të thyer ndërsa tjetri me plagë të shumta të shkaktuara me një thikë xhepi.
Të dy duhej të dëshmonin në gjykatë si të dyshuar dhe të dy kanë treguar versione krejtësisht të ndryshme të incidentit, shkruan luzernerzeitung.ch.
Problemi ka nisur me një defekt të telefonit mobil dhe ka përfunduar me një kallëzim penal, ndër të tjera për tentimvrasje.
Prokuroria publike e akuzon 46 vjeçarin se ka sulmuar baxhanakun (kunatin) e tij me thikë xhepi dhe i ka shkaktuar disa plagë dhe prerje në bark, krah dhe shpinë. Por, nëse i besohet versionit të të dyshuarit, ai është vetë viktima – dhe plagët me thikë janë vetëm një rezultat fatkeq i vetëmbrojtjes së tij.
Përshkrimet e dy burrave janë diametralisht të kundërta; vetëm rreth arsyes së takimit, që ka ndodhur tre vjet më parë është e njëjtë, në të dy versionet, trasnmeton albinfo.ch. Për shkak se i akuzuari kishte problem me celularin, ai i kishte kërkuar ndihmë kunatit të tij, (tashmë paditës privat) 40-vjeçarit kosovar dhe i kishte shkuar për vizitë.
Burrat, gratë e të cilëve janë motra, banojnë në të njëjtën komunë dhe njihen prej më shumë se 20 vitesh, shkruan Luzerner Zeitung. Pasi e kishin zgjidhur problemin e celularit, të dy ishin larguan nga shtëpia së bashku – dhe rrëfimet e tyre nga ky moment kanë ndryshuar plotësisht
I pyetur në seancë, paditësi thotë se i akuzuari ka nxjerrë befasisht një thikë xhepi dhe ka thënë se do ta vriste. Pastaj ai ka tentuar ta godiste me thikë 20 deri në 30 herë. Në momentin që paditësi ka tentuar të mbrohet, ka ndodhur përleshja dhe të dy kanë rënë përtokë, ndërsa i akuzuari ka thyer krahun.
I akuzuari, nga ana tjetër, dëshmon nëpërmjet përkthyesit se paditësi e kishte sulmuar papritur dhe e kishte goditur aq fort me grusht në mjekër, saqë ai qe rrëzuar përtokë, nuk mund të shihte më asgjë dhe kishte ndjerë vetëm goditjet që kishin pasuar, përcjell albinfo.ch. Kur kishte dashur të ngrihej sërish, kishte vënë re se i ishte thyer krahu.
I akuzuari ka mohuar gjithçka dhe gjithë fajin për përleshjen ia ka ngarkuar tërësisht kunatit të tij, transmeton albinfo.ch. Por as kjo nuk i ndihmoi. Gjykata Penale e Luzernit e ka shpallur fajtor 46-vjeçarin kosovar.
Sipas vendimit gjyqësor, ai duhet të mbyllet në burg për gjashtë vjet e tre muaj dhe pas vuajtjes së dënimit, të dëbohet nga Zvicra për dhjetë vjet. Dënimi është më i lartë se ai që kishte kërkuar prokuroria: 5 vjet e 5 muaj burg dhe 10 vite dëbim.
Kundër këtij vendimi i akuzuari ka bërë ankesë.
Po kështu – në rolin e tij si prokuror privat – ka bërë ankesë edhe kundër vendimit për çështjen e kunatit të tij 41-vjeçar, përcjell albinfo.ch. Kjo pasi Gjykata e ka shpallur arë të pafajshëm “për shkak të vetëmbrojtjes së justifikueshme”.