Ekipi i ABC është futur në qytetin e Kievit. Gazetari Taulant Koplikaj bashkë me operatorin Ardian Kamberi raportojnë nga Kievi duke theksuar se situata është e vështirë dhe gjithçka të kujton luftën.
“Kemi udhëtuar 20 orë nga Lvivi deri këtu. Na është dashur që të lëvizim nëpër rrugë fshatrash. Ka barrikada kudo nëpër qytet dhe kontrolle të befasishme nga forcat mbrojtëse. Dyqanet dhe shërbimet e tjera janë të mbyllura. Unë kam parë radhë të gjata kilometrike makinash që kërkojnë të largohen nga kryeqyteti“, tha ai nga Kievi.
Gazetari i ABC raporton se funksionojnë vetëm spitalet, posta si edhe bankomatet, ndërkohë që shërbimet e tjera janë mbyllur.
“Brenda Kievit nuk ka karburante. Ne kemi hasur vështirësi për t’u furnizuar me karburant në Kiev. Madje edhe atje ku kemi mundur të marrim karburant, ka qenë i rracionuar. Nuk merrje dot më shumë se 20-30 litra për makinë“, raporton ai.