Këshilli bashkiak i Mariupolit ka denoncuar se Rusia ka bombarduar një spital fëmijësh dhe një maternitet në qytetin e Mariupolit.
Me anë të një postimi në Facebook, zyrtarët thanë se “trupat pushtuese ruse kanë hedhur disa bomba në spitalin e fëmijëve, duke e shkatërruar pothuajse plotësisht”.
Zyrtarët bashkiakë shtuan se ende nuk dihet numri i viktimave që ka lënë pas ky sulm.
Ndërsa Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, postoi një video të pasojave të bombardimit në spital, duke i kërkuar botës që të mos injorojë më tej atë që po ndodh në vendin e tij.
“Mariupol. Sulm direkt ndaj maternitetit. Ka njerëz dhe fëmijë nën rrënoja. E tmerrshme! Edhe për sa kohë bota do të jetë bashkëpunëtore, duke injoruar terrorin që po ndodh? Mbyllni qiejt menjëherë! Ndaloni vrasjet! Keni fuqi, por duket se keni humbur njerzillëkun”, shkruan Zelensky.