Shkëputja e energjisë i bllokoi në 800 metra thellësi, dalin të sigurt minatorët e bllokuar në Trepçë

albnews
By
1 Min Read

Pas një operacioni disaorësh dhe angazhimit të ekipeve teknike e të shpëtimit, 18 minatorët që kishin mbetur të bllokuar në minierën e Trepçës janë nxjerrë me sukses në sipërfaqe dhe të gjithë raportohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Minatorët kishin mbetur në nëntokë për rreth 12 orë, në një thellësi prej afro 800 metrash, pasi një defekt në linjën 35 kV shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në minierën e Trepçës në orët e para të mëngjesit.

Sipas njoftimeve zyrtare, incidenti ndodhi rreth orës 01:50, kur në ndërrimin e tretë po punonin gjithsej 47 punëtorë. Nga ta, 29 kishin arritur të dilnin më herët, ndërsa 18 të tjerë mbetën të bllokuar deri në rikthimin e kushteve për evakuim.

Përgjegjësit e ndërmarrjes kanë bërë të ditur se gjatë gjithë kohës është mbajtur komunikim i vazhdueshëm me minatorët dhe gjendja e tyre është monitoruar nga afër.

Pas rikthimit të energjisë dhe stabilizimit të situatës në minierë, ekipet e shpëtimit realizuan nxjerrjen e tyre pa asnjë pasojë.

Share This Article