Koreja e Veriut do të lëshojë në hapësirë satelitë për të monitoruar dhe siguruar informacion sa më të shpejtë mbi veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate, raportoi të enjten media shtetërore në vend, duke cituar liderin Kim Jong Un.
Teksa inspektoi Agjencinë e Zhvillimit Hapësinor, Kim tha se “shumë” satelitë spiunë do të dërgoheshin në hapësirë për t’u rrotulluar mbi orbitën e tokës, sipas një plani 5-vjeçar.
Media shtetërore tha se “synimi i këtij plani është sigurimi i informacionit për Forcat e Armatosura të Koresë së Veriut për aktivitetin e imperializmit amerikan dhe forcave vasale të tyre në Paqësor, si Koreja e Jugut dhe Japonia”.
Sipas autoriteteve koreano-veriore, testimet e para janë kryer nga 27 shkurti, deri më 5 mars. Sipas Koresë së Jugut, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, gjatë këtyre testimeve janë kryer edhe lëshime të predhave balistike.
Pavarësisht akuzave, Kim tha se satelitët janë vetëm për të mbledhur informacion për të mbrojtur sovranitetin e Koresë së Veriut dhe interesat e saj kombëtar.