Prokuroria e Posaçme, SPAK, finalizoi këtë të enjte një hetim tre vjeçar kundër pesë grupeve të strukturuara kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Plot 42 persona u arrestuan në zbatim të masave të sigurisë “arrest në burg” të caktuara në mungesë nga Gjykata e Posaçme.
Me kërkesë të SPAK, gjykata caktoi masat “arrest në shtëpi” dhe “detyrim për paraqitje” për dy të tjerë. Operacioni për prangosjen e personave të akuzuar u shtrinë disa qytete të vendit, ndërsa për 10 të dyshuar masa e “arrestit në burg” iu është komunikuar në qelitë e burgut, pasi kanë qenë të arrestuar më herët.
Sipas SPAK nga hetimi i nisur në vitin 2019, si bashkim i disa procedimeve të nisura në prokuroritë e rretheve, përmes metodave speciale të përgjimit dhe vëzhgimit, janë dokumentuar 13 episode kriminale të trafikimit të drogës, prodhimit dhe shitjes së saj dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë dhe Lezhë gjatë periudhës mars-nëntor 2020. Nga goditjet e bëra gjatë këtij hetimi janë bllokuar në total gati 500 kg lëndë narkotike kanabis.
Referuar hetimit, droga e kultivuar kryesisht në fshatrat e Vlorës dhe Tepelenës trafikohej për shitje në kryeqytet. Në një prej rasteve të dyshuara, të akuzuarit kanë tentuar të kalonin një sasi droge në kufirin e gjelbër me Maqedoninë e Veriut, me destinacion final Greqinë. Mes të arrestuarve ishin edhe Fejzo Meçaj, punonjës policie në Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe Adriatik Logli, punonjës policie në Drejtorinë e Policisë, Gjirokastër.
Ata nuk dyshohet të jenë anëtarë të ndonjërit prej grupeve kriminale, por arrestimi i tyre është kërkuar për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.