Daullet e rrejshme të luftës që i trumbetuan qeveritarët më të lartë të Kosovës i pagoi shtrenjtë qytetari ende me trauma nga lufta e para dy dekadave me friken se kur po na sulmon Serbia dhe veçmas me çmimet e dy-trefishuara të artikujve ushqimorë qe i blenë në panik e sipër, duke i mbushur arkat e tregtareve të papërgjegjshëm. Detyra e shtetit është t’i mbrojë qytetarët e jo ti çmendë ata.
Vetëm pas reagimeve të shumta dhe të fuqishme të qytetarëve për abuzimin me çmime të produkteve ushqimore dhe karburantëve, institucionet e shtetit janë vënë në lëvizje. Përveç inspektimit, pati edhe sekuestrime të produkteve dhe shqiptime të gjobave.
Çmimet janë ngritur edhe në shtetet e rajonit, por askund si në Kosovë, ku vaji e produkte tjera kanë prekur nivele astronomike. Kjo tregon se kriza e rritjes së çmimeve në Kosovë është pasojë edhe e krijimit të gjendjes së luftës nga ana e Qeverisë së Kosovës, e jo vetëm reflektim i situatës së tregut ndërkombëtar.
Situata në Ukrainë ka prekur shumë kosovarët, të cilët me kujtime ende të freskëta nga lufta brutale me Serbinë, i kuptojnë në palcën e tyre dhimbjet e vuajtjet që sjellë lufta. Plagët e përjetimeve të rënda në luftë, si dëbimi, vrasja, masakrat, dhunimet, bombardimet, janë ende të hapura. Për këtë arsye, ka tre javë që kosovarët preokupimin kryesor të tyre e kanë luftën në Ukrainë.
Çdo bisedë e tyre lidhet me luftën në Ukrainë. Secili qytetar përcjellë me vëmendje çdo lajm për Ukrainën. Edhe ata të cilët në jetën e përditshme nuk merren fare me lajme dhe politikë, e dinë gati secilin detaj të luftës atje.
Pra, duke i ditur gjitha këto, Kryeministri Albin Kurti, kabineti i tij qeveritar dhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, në vend se të mundohen t’i qetësojnë qytetarët, të krijojnë qetësinë e nevojshme dhe mekanizma që i ndihmojnë qytetarët ta ndjejnë sa më pak traumën e tyre të luftës, e bënë të kundërtën. Në sinkron me njëri-tjetrin, e shpallën gjendjen e luftës, duke themeluar Fondin e Sigurisë, duke paralajmëruar sulme nga Serbia në Veriun e vendit, përkundër faktit që deri tash nuk ka raporte kredibile ndërkombëtare që mbështesin këto supozime, dhe duke folur për një marrëveshje “mos-sulmimi me Serbinë”.
Themelimi i një fondi të tillë nuk do të thotë asgjë tjetër, pos që gjendja është emergjente sepse jemi në prag të luftës. Fondet e tilla në kujtesën e kosovarëve ringjallin përjetimin e luftës. Fonde të tilla kishim vetëm në kohën e pushtimit dhe luftës. Pastaj atmosferën e luftës së krijuar nga themelimi i fondit e vazhdoi Kryetari i Kuvendit në takim me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Talat Xhaferin, ku Konjufca tha se “në çdo moment Serbia mund ta sulmojë Kosovën”.
Në këto rrethana të krijuara me vetëdije të plotë nga ana e udhëheqësisë kosovare, çfarë mund të pritet tjetër, përveç frikës e ankthit? Kosovarët e zonave kufitare, të alarmuar nga këto deklarata, shfaqën frikën e tyre se ata mund të jenë viktimat e para të këtyre sulmeve. Ndërkohë, më në brendi të vendit, qytetarët në panik me vrullin e tyre për të blerë sa më shumë produkte bazike ushqimore u bënë gjah i lehtë për predatorët e tregut, të cilët shfrytëzuan situatën për të përfituar më shumë. As që mund të imagjinohet ndryshe. Sidomos, kur, në mungesë të Bordit të Autoritetit të Konkurrencës (për faj të qeverisë), ata kanë duart e lira për të bërë një gjë të tillë.
E dimë se Kryeministri ka shumë qejf të kthehet 23 vjet me parë. Mirëpo, meqë koha nuk kthehet, ai po përpiqet të imitojë gjendjen e asaj kohe dhe dëshiron të krijojë një situatë heroizmi, ku ai si protagonisti kryesor, mobilizon popullin e tij dhe e mbron atdheun nga rreziqet që ia kanosin ekzistencën.
Megjithatë, fatmirësisht Kosova ka ecur, koha nuk ka mbetur në vend dhe rrethanat sot nuk lejojnë skenarët e tillë.
Më këto gjëra, ai nuk po i ndihmon qytetarët, nuk po e rritë sigurinë e Kosovës, e as figurën e tij në histori. Vetëm po shkakton krizë të çmimeve, po u bën terror psikologjik qytetarëve dhe po e demton imazhin e tij si Kryeministër që nuk po arrin të menaxhojë asgjë.