Pagesa e rrymës për serbët e veriut po del se nuk është benefiti i vetëm që ka ky komunitet në Kosovë. Edhe udhëheqësit politikë të serbëve në Kosovë, janë subjekt i përfitimeve në mënyra të ndryshme. Pjesa më e madhe e udhëheqësve të Listës Serbe mbajnë pozita të larta në institucionet e Kosovës. Por kjo nuk i ndalon ata, që paga e pozita të mbajnë edhe në Serbi. Një pjesë e tyre madje, nuk i kanë fare të deklaruara në Agjencinë kundër Korrupsionit në Kosovë, përderisa pozitat në Kosovë nuk i deklarojnë në Agjencinë e Serbisë.
Emri i Igor Simiqit figuron si shef i grupit parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Simiq njëkohësisht është edhe nënkryetar i këtij subjekti politik që ka 11 deputetë në Parlament. Për detyrën si deputet, Simiq ka deklaruar në Agjencinë kundër Korrupsionit se merr pagë rreth 2 mijë euro. Kjo pagë, nuk është e vetmja që deputetit serb i del në bankë. Por, të tjerat mjete i dalin nga buxheti i Serbisë.
Igor Simiq ka deklaruar se punon në Sigurimin Pensional të Serbisë ku merr pagë gati 5 mijë euro në vit. Kurse, 7 mijë euro të tjera ai i merr nga Fakulteti Ekonomik në Mitrovicën e Veriut. Në Agjencinë kundër Korrupsionit të Serbisë, Igor Simiq figuron edhe si kryetar i Bordit të Rrjetit Most (rrjeti i mediave në gjuhën serbe në Kosovë), prej nga ai merre të ardhura dy herë në vlerë prej 420 eurosh. Në Serbi, ai nuk e ka deklaruar pozitën e deputetit që e mban në Kosovë.
Njëjtë si Igori, edhe Slavko Simiq nuk i ka të deklaruara në Agjencinë e Serbisë pozitat që i ka në Kosovë. Deputeti i Listës Serbe në Kosovë e ka të deklaruar pagën si deputet, përderisa rreth 8 mijë euro ai i merr si kryetar i qarkut të Mitrovicës, që është nën juridiksionin e Beogradit zyrtar.
Në anën tjetër, ministri për komunitete dhe kthim, Goran Rakiq, ka bërë një tjetër shkelje ligjore. Ai në Agjencinë kundër Korrupsionit nuk i ka të deklaruara pozicionet me të cilat udhëheq në Serbi. Rakiq mban dy funksione brenda sistemit serb, përkatësisht atë të drejtorit të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Mitrovicë të Veriut “Standard” si dhe është asistent në Shkollën e lartë ekonomike në Pejë, që funksionon në kuadër të sistemit serb.
Një situatë e ngjashme është edhe tek deputetët e Listës Serbe. Ljubinko Karaxhiq në kundër korrupsion të Kosovës e ka të deklaruar vetëm pagën si deputet. Megjithatë, ai mban postin e drejtorit të qendrës sportive në Mitrovicë të Veriut dhe asistent në Fakultetin e Sportit dhe Edukatës Fizike në Leposaviq. Edhe deputetja, Verica Qeraniq është deputete e Kuvendit të Kosovës dhe po ashtu është e punësuar si ekonomiste në Shërbimin Kombëtar të Punësimit.
Edhe deputeti Zoran Mojsiloviq përveç si deputet, ai merr paga si anëtar i Këshillit të Fakultetit për Sport dhe Edukim Fizik, si dhe është drejtor i Qendrës Sportive komunale në Mitrovicën e Veriut. Në anën tjetër Bratislav Nikoliq dikur kryetar i Shtërpcës tash deputet, e ka të deklaruar edhe një punë si Koordinator i Autoritetit të Përkohshëm në Shtërpcë që paguhet nga buxheti i Serbisë. Deputetja serbe Milijana Nikoliq paguhet edhe për punën si mjeke në një qendër spitalore klinike që funksionon në veri. Kurse Jasmina Dediq, gjithashtu deputete, është e punësuar edhe si këshilltare në veriun e Mitrovicës.
Situata nuk ndryshon shumë as për kryetarët e komunave që vijnë nga Lista Serbe. Zoran Todiq është udhëheqës i Komunës së Leposaviqit. Por, pozitën që e mban sipas sistemit të Kosovës, Todiq e mban edhe sipas sistemit serb, por që pagën nuk e ka të deklaruar në Agjencinë kundër Korrupsionit.
Milan Radojeviq është kryetar i Mitrovicës së Veriut, që merr rrogë nga buxheti i Kosovës, por është edhe drejtor i Fondit për Sigurime Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicë të Veriut.
Gazeta Nacionale ka mësuar se tash e më shumë se një muaj, Agjencia kundër Korrupsionit kishte nisur një hetim preliminar për të vërtetuar të hyrat e zyrtarëve të lartë të Listës Serbe. Megjithatë, pavarësisht kësaj, në mesin e 43 kallëzimeve penale që janë dorëzuar, asnjëri nuk është për këta zyrtarë të lartë serbë.
Pse nuk po hetohen këta zyrtarë?
Miodrag Miliçeviq nga Organizata “Aktiv” në veri të Mitrovicës, thotë se nuk kanë statistika të sakta për numrin e këtyre zyrtarëve. Por, fajin ia lë mungesës së bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë kundër Korrupsion në Kosovë e Serbi.
“Për shkak të mungesës së komunikimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Serbisë, nuk kemi informacione se cilët zyrtarë mbajnë pozita në të dy shtetet”, thotë Miliçeviq për gazetën Nacionale.
Në anën tjetër, juristi Anton Nrecaj udhëheqës i Qendrës për Ndihmë Juridike e Zhvillim Rajonal, vlerëson se në këtë rast, kundërkorrupsioni duhet të ndërhyjë, e pastaj pjesa tjetër t’i mbetet drejtësisë.
“Për zyrtarët publikë përgjegjëse është AKK-ja, dhe këta duhet ta kryejnë detyrën sikur në rastin e kallëzimit penal ndaj ministres Rozeta Hajdari. Konflikti i interesit është vepër penale, këtu kemi mashtrim. Ata janë duke mashtruar institucionet e vendit, janë duke mashtruar dhe keqpërdorur pozitën si zyrtar sepse po përfitojnë prej dy shteteve”, ka thënë Nrecaj për gazetën tonë.
Për këtë çështje, javë më parë ishte deklaruar edhe kryeministri i vendit.
“Sektori i drejtësisë është i pavarur nga ekzekutivi në Republikën e Kosovës, ne jemi shtet demokratik ku janë të ndara pushtetet dhe rrjedhimisht në shkeljet eventuale të ligjit e kushtetutës në Kosovë, nuk ndërhyn Qeveria. Kjo është detyrë që e zbaton prokuroria, gjyqësori dhe mekanizmat tjerë zbatues”, kishte thënë Kurti para gazetarëve.
Lista Serbe u formua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar. Që atëherë, ajo ka qenë partia kryesore e serbëve në Kosovë, duke fituar rreth 90 për qind të votave të komunitetit serb në të gjitha zgjedhjet lokale dhe parlamentare.