Sot mbushen katër vjet nga vdekja e akademik Pajazit Nushi, njeriu i cili tërë jetën ia kushtoi arsimit, edukimit, dijës dhe shkencës, por edhe çështjes kombëtare.
Ai me të drejtë është vlerësuar ‘Simboli i dijes dhe paqes’, ’profesori i respektuar’, ‘pedagogu ynë’, ‘mendjendrituri’, e me emërtime të tjera.
Akademik Pajazit Nushi ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare, ndërsa ishte rektor i kolegjit universitar “Iliria”.
I lindur në Gjakovë, më 8 janar 1933, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, prof. dr. Pajazit Nushi, pas mësimit në Shkollën Normale të Gjakovës, i ndoqi mësimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, ku u diplomua në degën e Psikologjisë më 1955.
Më 1958 ka dhënë provimin shtetëror për profesor të psikologjisë dhe psikologjisë pedagogjike pranë Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë dhe me këtë rast u shpall profesor i rendit I. Studimet e larta i kurorëzoi me mbrojtjen e tezës së disertacionit të doktoratës “Zhvillimi i terminologjisë psikologjike dhe baza semantike e përcaktimit të saj në gjuhën shqipe”.
Nga 1956-1995 punoi si profesor i psikologjisë në Shkollën Normale të Prishtinës, në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës dhe profesor i psikologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Krahas mësimdhënies ka punuar në këto funksione administrative-profesionale: drejtor i Entit Krahinor për Përparimin e Arsimit dhe të Edukimit, ndihmës kryetar i Këshillit Federativ për Arsim e Kulturë të ish- Federatës së Jugosllavisë; nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriu dhe redaktor i Enciklopedisë së Jugosllavisë.
Ka mbajtur leksione nga psikologjia e përgjithshme në Universitetin e Tetovës në Maqedoni. Ka qenë anëtar i grupit hulumtues të RSFJ në konceptimin e projektit “Televizioni edukativ” dhe lidhur me këtë ka qenë kryesues i këtij grupi i angazhuar në udhëtimin studimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit maj – qershor 1972. Ka marrë pjesë në konceptimin e shkollës fillore unike për RSFJ-në dhe ka studiuar zhvillimin e arsimit institucional të nivelit fillor në Norvegji.
Në vitin 2000 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2008 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e zgjodhi anëtar të rregullt. Ka qenë sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-së në periudhën dhjetor 2008 – 2011.
Ka botuar këto vepra nga fusha e psikologjisë: “Bazat psikologjike të kulturës së të folurit të nxënësve të shkollës fillore” 1964,”Fjalor i psikologjisë”, “Sistemi i grafisë së tingujve të shqipes dhe vetitë perceptive e përmasat e lexueshmërisë së shkronjave të alfabetit të shqipës”1987, ”Të nxënit e lëndëve mësimore dhe zotërimi i tyre” 1997, ”Orientimi profesional dhe individualiteti psikofiziologjik i zgjedhësit të profesionit 2004, ”Inteligjenca dhe masat e zhvillimit të saj ndër shqiptarët e moshës madhore” 2006, “Çështja shqiptare dhe integrimet politike ekonomike (Kërkimet teorike-empirike)” 2003, “Kujtesa dhe trajtimi i saj në literaturën shqipe nomotike” 2008, “Psikanaliza dhe mendimi psikologjik shqiptar” 2006 dhe “Fjalor shpjegues i psikanalizës” 2010.
Është autori i tekstit shkollor të psikologjisë “Psikologjia” për klasën e dytë gjimnaz – fitues i çmimit “Naim Frashëri” si libri më i mirë shkollor në vitin 1996, koautor i disa botimeve të librit “Psikologjia” për gjimnaz dhe shkolla profesionale.
Ka botuar këto tekste universitare: “Psikologjia e përgjithshme – Kaptina të zgjedhura” 1995, “Psikologjia e përgjithshme 1” 2002 dhe “Psikologjia e përgjithshme II – Njeriu dhe personaliteti i tij në psikologji”, 1999.
Ka përkthyer nga serbokroatishtja në gjuhën shqipe tekstet shkollore “Logjika” 1967 dhe “Të mësuemit dhe kujtesa”, 1964.
Aktiviteti profesional dhe shkencor i tij është shtrirë në fushat studimore të psikologjisë së përgjithshme, terminologjisë së psikologjisë, psikologjisë pedagogjike, etnopsikologjisë dhe metodologjisë hulumtuese të psikologjisë. Lista e punimeve studimore, e kumtimeve shkencore dhe e artikujve nga fusha e psikologjisë arrin në 142. Përmbajtja e këtyre punimeve ka qenë e lidhur kryesisht me paraqitjen e rezultateve të hulumtimeve empirike, të cilat janë preokupim kryesor i tij.
Më 23 shtator 1970 është shpallur qytetar nderi i shtetit Teksas me vendim të guvernatorit të këtij shteti, ndërsa më 10 tetor 1970 është shpallur qytetar nderi i shtetit Nebraska me vendim të guvernatorit të këtij shteti federal amerikan.
Më 2005 u zgjodh anëtar nderi i Institutit të Sociologjisë në Tiranë. Më 14 qershor 2011 është shpallur “Nderi i Qytetit të Gjakovës” me vendim të kryetarit të Komunës së Gjakovës. Në marsin e vitit 2011 u zgjodh këshilltar i lartë shkencor në Institutin e Hulumtimeve të Krimeve të luftës në Kosovë.
Më 1957 u shpall fitues i Çmimit të Dhjetorit – çmimit më të lartë për të arritura arsimore e shkencore në KSAK. Është bartës i disa dekoratave – dekorata e fundit është dekorata e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e akorduar nga presidenti i Republikës së Kosovës në vitin 2001.