Synimi kryesor i Vladimir Putin është Kievi.
Aty qëndrojnë edhe drejtuesit e Ukrainës me në krye Presidentin Volodymyr Zelensky, por beteja më e ashpër dhe e përgjakshme, prej 23 ditësh është duke u zhvilluar në qytetin e Mariupolit.
Më shumë se 2 mijë persona janë vrarë që prej fillimit të bombardimeve ruse, mijëra të tjerë janë larguar, ndërsa pjesa më e madhe e qytetit me mbi 400 mijë banorë po qëndrojnë nën rrënoja pa ditur nëse e nesërmja do t’i gjejë gjallë.
Edhe këtë të premte, luftimet më të ashpra mes ushtrisë ruse dhe asaj ukrainase janë zhvilluar pikërisht në qytetin bregdetar.
Dy ditë më parë, rusët bombarduan edhe teatrin ku qëndronin me qindra persona. Zelensky tha se deri më tani janë gjetur 130 të mbijetuar, ndërsa shtoi se bombardimet nga forcat ruse vazhduan të pengonin autoritetet që të krijonin korridore efektive humanitare në Mariupol.
“Më shumë se 130 njerëz janë shpëtuar. Por qindra banorë të Mariupolit janë ende nën rrënoja”, tha Zelenski.