Më 30, 31 mars e 1 prill, një delegacion nga institucionet e Kosovës pritet që të udhëtoj drejt Hagës për t’i takuar disa nga ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Dhomat e Specializuara.
Ky delegacion do të udhëhiqe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar edhe nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Flamur Pireva, këshilltari i ministres Haxhiu.
“Së bashku me ministren Haxhiu dhe nënkryetaren Bogyjevci, do të jenë edhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi si dhe deputeti Erxhan Galushi të cilët do të qëndrojnë në Hagë me qëllim të takimit me personat që po mbahen në paraburgim”, ka thënë Pireva.
Ai ka shtuar se delegacioni nga Kosova do të takohet me ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, ish-shefin e GP të LVV-së, Rexhep Selimi dhe me ish-krerët e OVL e UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, e po ashtu edhe me ish-luftëtarin Pjetër Shala.
Ndryshe ende nuk ka konfirmim zyrtar nëse delegacioni do të takohet me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Ministrja Albulena Haxhiu ditë më parë në emisionin “Përballje”, në Telegrafi.com ka thënë se ajo ka kërkuar takim me të gjithë ata që po mbahen në Hagë.
“Nuk mund të them me siguri se do t’i takojë të gjithë, pasi që zoti Thaçi e Veseli kishin refuzuar t’i takonin përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë gjatë një vizite që këta të fundit kishin pasur në Hagë”, kishte deklaruar Haxhiu.
Haxhiu theksoi se megjithatë ajo me Thaçin e Veselin kanë probleme politike të pasluftës, ajo vlerëson kontributin e tyre në luftë.