Profesori, akademiku dhe shkrimtari i madh shqiptar, Rexhep Qosja, e ka qortuar diskursin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, e cila në narracionin e saj politik, Kosovës i referohet si “atdheu ynë i vetëm” duke i dhënë konotacion të një singulariteti territorial që si rrjedhojë logjike të çon te ideja e një kombi partikular.
Qosja, i cili është një prej proponentëve më të mëdhenj letrar për kombin dhe shpirtin shqiptar, ka ndarë kohë t’i rikujojtë disa premisa themelore rreth kësaj çështje zyrtares, e cila supozohet të jetë përfaqësuese e unitetit të popullit për nga funksioni që ushtron.
“Kosova, thotë shpesh, pa ia kërkuar kush është Atdheu ynë i vetëm! Dhe këtë mendim e thotë, përpos të tjerash, për të mohuar, cenuar, zhvlerësuar idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë”, shkroi fillimisht akademiku.
“Duke e shqiptuar aq përkushtueshëm fjalinë e sipërthënë, ajo e thotë edhe një të pavërtetë: se Shqipëria s’ishte kurrë as Atdheu i të parëve të saj e as i të parëve tanë!”.
Kjo gjë, thekson autori i madh shqiptar, është “gabim i dyfisht”.
Qosja e kthen në gjenealogji të fjalës Atdhe presidenten Osmani, duke ia rikujtuar në fakt etimo-logjikën rrjedhëse të saj.
“Prejardhja, domethënia dhe kuptimi i fjalës At – dhe nuk lidhej me shtetin, siç lidhet sot në disa vende, më të vogla, më të reja, a më të mëdha, por lidhet me babanë, me atin, me gjyshin e stërgjyshin”, shtjellon ai.
“E Kosova, toka e saj, banorët e saj ishin gjatë, me shekuj, me mija vjet pjesë tokësore, gjeografike dhe demografike, e tërësisë gjeografike dhe etnike ilire, arbërore, shqiptare. Kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk e ka vendosur Zoti, as shqiptarët, por pushtuesi shekullor – Serbia!”.
Qosja, ngren një dilemë shqetësuese, nisur nga kjo, se pse Presidentja e Kosovës, ndjen aq shumë nevojë të monolizitojë çështjen e “atdheut”.
“Pse e thotë dhe e rithotë tash, pa ia kërkuar kush, se Kosova është i vetmi Atdhe i yni? A nuk është më e drejtë, më e drejtë dhe më e arsyeshme shkencërisht dhe etnikisht dhe historikisht të thuhet sot se Kosova, Kosova e Shqipëria janë Atdheu i ynë, janë dy Atdhetë tanë? Po, po, padyshim: Po”, thotë Rexhep Qosja.
Qosja, është i pakompris në argumentin e tij, e që, historikisht, është edhe argument historik.
“Ata që thonë se Kosova është i vetmi Atdhe i yni janë, për fat, në numër shumë e shumë më pak sesa ata që e thonë, që e mendojnë dhe që e ndiejnë, se Kosova dhe Shqipëria janë Atdheu ynë. Dhe do të jenë Atdheu ynë, i pëlqeu a nuk i pëlqeu pakicës së papërfillshme, edhe kur gjendet në karrige të përfillshme”, thotë Qosja.
Qosja përdori autoritetin e tij moral e letrar, për të kritikuar autoritetin presidencial që në këso temash rrëfimesh të mëdha, të mos krijohen deviacione të tilla.
“Të thuash, prandaj, siç thotë ajo se Kosova është i vetmi Atdhe i yni, domethënë të bësh atë që e ndëshkon e përtashmja dhe historia kombëtare: veprim kundër vetvetes!”, përfundon Rexhep Qosja.