Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani ka thënë se Kosova në përballje me Çekinë dhe Anglinë, duhet të përqendrohet në lojën vet, e cila i solli rezultate pozitive në ndeshjet kualifikuese për Euro 2020.
Ujkani beson e Kosova do të dalë fituese nëse e përgatit strategjinë e vet duke e dëgjuar trajnerin Bernard Challandes.
Ai të martën në një konferencë për media në Prishtinë, e pranon se ndeshja kundër Republikës së Çekisë, kundërshtarit të drejtpërdrejt për pozitën e dytë në Grupin A kualifikues, do të jetë shumë e vështirë.
“Ka për të qenë një ndeshje shumë e vështirë, pasi Çekia besoj se është kundërshtari më i fortë pas Anglisë dhe e kemi konkurrent për vendin e dytë. Ne duhet të përqendrohemi te loja jonë dhe të çojmë përpara rezultatet pozitive të muajve të fundit. Duhet të dëgjojmë trajnerin dhe të përgatitim strategjinë për të dalë fitues”, tha Ujkani.
I pyetur sesi do t’i zëvendësojë Kombëtarja mungesat e mëdha, ai theksoi se Kosova ka shumë talente.
“Kjo skuadër u krijua me shumë talentë para 3-4 vitesh dhe me kalimin e kohës jemi rritur të gjithë shumë. Dikur na mungonte Valon Berisha, por të gjithë që luajtën e zëvendësuan mjaft mirë. Tani kemi mungesa të tjera, por të gjithë futbollistët që janë këtu, janë gati të bëjnë më të mirën për të marrë rezultat të mirë dhe për të mbajtur gjallë ëndrrën për kualifikim”, shtoi ai.