Vazhdon beteja greko-britanike mbi pronësinë e skulpturave të shekullit 19-të. Greqia vazhdon me insistim të kërkojë nga Britania e Madhe kthimin e skulpturave 2.500 vjet të vjetra, të cilat u morën nga Parthenoni në fillim të shekullit 19 nga lordi Elgina, asokohe ambasador i Britanisë së Madhe në Perandorinë Osmane në përbërje të së cilës ishte edhe Greqia.
Por zëdhënësi i Muzeut Britanik në përgjigje të një kërkese të bërë nga kryeministri grek në një intervistë për “Observer” për huazimin e skulpturave të marrura 200 vjet më parë thotë se “parakushti për çdo debat mbi huazimin e skulpturave të Parthenonit është të pranojnë se Britania dhe jo Greqia janë pronarët e tyre të ligjshëm”, duke shtuar se çdo vendim do të merret nga Muzeu Britanik dhe jo qeveria britanike.
Me këtë përgjigje, muzeu britanik duket se i vë fre idesë së kthimit të skulpturave si hua, pasi jo vetëm që nuk do të ketë kurrë një kërkesë të tillë nga ndonjë qeveri greke, por vetë kryeministri Mitsotakis ka theksuar më herët në një intervistë për “Observer”, se: “Jo vetëm kërkesa jonë për kthimin e skulpturave mbetet e pakthyeshme”, por edhe huazimi i skulpturave nuk do të ishte vetëm një gjest i vullnetit të mirë, por edhe një “njohje e mirëfilltë e kërkesës së Greqisë nga britanikët”.
Në të njëjtën kohë, Doëning Street, përmes një zëdhënësi të kryeministrit Boris Johnson, mirëpret dhe shtrin sfidën e Muzeut Britanik, duke theksuar se “skulpturat e Parthenonit janë pronë e Muzeut Britanik ndaj dhe çdo vendim i tij lidhur me to pranohet pa ndërhyrje politike “.
“Legalizimi i vjedhjes së skulpturave të Parthenonit nga Lordi Elgin është absolutisht i mbuluar edhe politikisht nga vetë kryeministri britanik. Muzeu Britanik, në një shkelje të pashembullt të rregullave të trashëgimisë kulturore, i quan skulpturat pronë të tij. Me sa duket, komisionerët e Muzeut janë pasardhës dhe trashëgimtarë të Pheidias, Iktinos dhe Kallikratis.
Britania ka provuar më shumë se një herë se udhëheq piraterinë botërore. Nga mermeret e Parthenonit, gjetjet në piramidat egjiptiane, te piratët e Karaibeve. Është një shprehje e trazirave kulturore dhe politike dhe dëshmi që pavarësisht se sa shekuj kanë kaluar, pavarësisht sa historia ka ndëshkuar perandoritë, nuk është nxjerrë asnjë mësim” shkruajnë mediat greke.
Greqia prej më shumë se një shekull lobon me shpresë që do t’ia dalë të kthejë nga Britania e Madhe skulpturat të cilat nga Parthenoni i mori në fillim të shekullit 19 lordi Elgin, asokohe ambasador i Britanisë së Madhe në Perandorinë Osmane në përbërje të së cilës ishte edhe Greqia.
Greqia pretendon se lordi Elgin ka marrë ilegalisht 56 relieve dhe 19 shtatore duke i korruptuar zyrtarët osmanë/Ora News/