Udhëheqësi i koalicionit Alternativa për Ndryshim, Shqiprim Arifi, ka fajësuar liderin e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberin, për dështimin e shqiptarëve të Luginës në zgjedhjet e 3 prillit.
Arifi, subjekti i të cilit nuk ka marrë asnjë deputet, ka deklaruar për gazetën Nacionale se përçarja e subjekteve politike ka ndikuar në daljen e ulet të shqiptarëve të Luginës në zgjedhjet nacionale të Serbisë.
Sipas tij, fajtori kryesor për mos unifikimin e shqiptarëve në një listë të përbashkët është Shaip Kamberi.
“Mos marrja e mandatit ndërlidhet ngushtë me situatën se si janë krijuar dy lista. Në vitin 2020 marrëveshja e Tiranës ka qenë bazë për arritjen e marrëveshjes për të unifikuar partitë politike shqiptare. Kësaj radhe, ish-deputeti Kamberi ka vendosur që të mos e marrë për bazë marrëveshjen e Tiranës, por egon e tij dhe të garojë me një listë te veten. Kjo ka shkaktuar tek qytetarët tanë një dëshpërim të madh dhe një letargji politike, se pse ka ndodhur përçarja nga ana e Kamberit”, ka thënë Arifi.
Ai ka treguar se shqiptarët dëshpërimin e kanë shprehur përmes bojkotit.
“Kështu qytetarët në përgjithësi, në komunën e Preshevës dhe Bujanovcit, i kanë bojkotuar zgjedhjet. Kjo shihet qartë në shifrat ku ne e kemi gjysmën e votave të vitit 2020 në këtë vit. Ky dëshpërim i qytetarëve është bërë i qartë nëpërmjet bojkotimit të votës, e cila ka qenë rezultat i kësaj egos se ish deputetit Kamberi dhe ai e mban përgjegjësinë për këtë”, ka thënë Arifi.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës rrezikojnë që të mos kenë asnjë deputete të tyre shqiptarë në Parlamentin e Serbisë.
Shaip Kamberi, kandidat shqiptar për deputet në Parlamentin e Serbisë, sot ka kërkuar që zgjedhjet në Luginën e Preshevës të përsëriten. Kjo pasi, sipas tij, shumë shqiptarëve i është pamundësuar e drejta elementare për të votuar.