Raftet e vajit për gatim në dyqane gjatë tërë kësaj jave ishin të zbrazëta. Rekomandimi i autoriteteve qeveritare për tregtarët që ta kufizojnë sasinë e shitjes së vajit për çdo blerës, nuk ka sjellë efekte pozitive.
Qytetarët ankohen se në asnjë dyqan nuk arrijnë të gjejnë vaj për gatim.
“Ja edhe sot nuk ka vaj, shitësja më tha se nuk e di kur do të furnizohen.…. Në këtë situatë s’kam çka bëj, vaj mund të gjesh vetëm në tregun e gjelbër por atje është shumë më shtrenjtë, kursej maksimalisht dhe përdor vaj ulliri derisa të sjellin në dyqan vaj luledielli”, thotë Marika Stojkovska pensioniste nga Shkupi.
Ndërkaq, Esra, e cila është shitëse në një dyqan në lagjen Çair të Shkupit për Radion Evropa e Lirë thotë se vaj tashmë një javë nuk ka në dyqanin ku punon ajo:
“Vaj nuk kemi tashmë në javë në raftet e dyqanit tonë.
E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a ka kërkesa nga qytetarët, ajo thotë:
“ Po kërkojnë vaj, por u themi se nuk ka. Nuk e di kur do të furnizohemi”.
Në raftet e zbrazëta qëndron çmimi i vajit prej 125 deri 138 denarë, (2 deri 2.24 euro), ndërkohë që qytetarët thonë se vaj mund të gjesh vetëm në tregjet e gjelbra ku një litër vaj për gatim kushton mbi 150 denarë (2.43 euro).
Nga ana tjetër, Xhemali Dauti, i cili drejton një nga kompanitë më të mëdha në Maqedoninë e Veriut që merret me distribuimin (shpërndarjen) e produkteve ushqimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesën e vajit e ka shkaktuar kufizimi i marzhës së fitimit.
“Vaj ka. Problemi është se është e limituar sasia e shitjes nga vetë shitësit dhe këtu kemi të bëjmë dhe me marzhën. Marketet nuk marrin sasi të mëdha të vajit, kjo ndodh për shkak të kufizimit të marzhës, shitësit arrijnë të mbulojnë harxhimet askush nuk dëshiron të punojë pa fitim. Në këtë situatë ata duhet të paguajnë punëtorë për zbarkim dhe rregullim të mallit, ndërkohë që fitimi është minimal ose fare. Nëse lirohet tregu, vaj do të ketë dhe çmimi do të stabilizohet, sepse ne jemi treg i vogël”, thotë Dauti.
Nga 1 marsi në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë për kufizimin e marzhës tregtare të produkteve ushqimore bazë, ku bën pjesë dhe vaji për gatim që do të thotë është kufizuar diferenca mes çmimit të blerjes dhe shitjes.
Për të amortizuar mungesën e vajit në dyqane Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë kësaj jave mori vendim për heqjen e detyrimeve doganore prej 29 në 0 për qind, për importin e vajit, që të mund të sigurohen sasi të reja të këtij produkti nga vendet e tjera.
Heqja e detyrimeve doganore për vajin për gatim do të vlejë 45 ditë, përkatësisht deri në fund të muajit të majit.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka bërë të ditur se konsumi i vajit për gatim është rritur për tri herë gjatë kësaj periudhe.
“Përveç nga vendi, blerës të vajit ka pasur edhe nga jashtë vendit, në qytete të caktuara, sepse për këtë produkt me vendim të Qeverisë, nuk paguhet TVSH dhe vaji te ne është më i lirë”, ka thënë Bekteshi.
Edhe nga kompania për përpunimin e vajit për gatim “Vitaminka” nga Prilepi për Radion Evropa e Lirë thonë se së fundmi për shkak të çmimit më të ulët më shumë konsumatorë nga vendet fqinje si Bullgaria, Greqia dhe Shqipëria kanë blerë sasi më të mëdha të vajit për gatim.
Nga kjo kompani thonë se nuk duhet lënë në duar të tregtarëve kufizimi i shitjes së vajit, por theksojnë se Qeveria duhet të ndërmarrë një vendim të tillë sa më parë që të mbrohen konsumatorët vendorë.
“Në zbrazjen e rafteve hise kanë dhe qytetarët nga vendet fqinje siç është Greqia, Bullgaria dhe Shqipëria, të cilët vijnë këtu dhe e blejnë vajin tonë në sasi të mëdha pasi është më i lirë krahasuar me vendet e rajonit”, thonë për Radion Evropa e Lirë nga kompania “Vitaminka”,duke shtuar se tashmë me Serbinë kanë nënshkruar kontratë për sigurimin e 4 mijë e 500 tonelatash të vajit të parafinuar, i cili është i mjaftueshëm për prodhimin e vajit për gatim gjatë katër muajve të ardhshëm.
Nga kjo kompani thonë se furnizimi me lëndë të parë do të bëhet gjatë javës së ardhshme kur pritet që Serbia të heqë ndalesën për eksport.
Ata po ashtu thonë se për të mos ardhur deri te mungesa e vajit janë duke punuar dhe me partnerët nga Bullgaria, Rumania dhe Ukraina tregje këto që janë më të shtrenjta andaj e prioritet për sigurimin e lëndës së parë mbetet Serbia për të ruajtur stabilitetin e çmimit të vajit për gatim./REL/