Kryeministri britanik Boris Johnson ka kërkuar falje për thyerjen e rregullave anti-covid, por pretendoi se nuk e dinte se festa e ditëlindjes në vitin 2020 e bërë për nder të tij ishte një festë e paligjshme, në komentet e tij të para për ligjvënësit që kur u gjobit nga policia javën e kaluar.
Johnson u ofroi anëtarëve të Parlamentit atë që ai e quajti një “falje me gjithë zemër” të martën.
Por ai shtoi se “nuk më shkoi mendja atëherë apo më pas” se festa “mund të përbënte një shkelje të rregullave”.
Ai iu drejtua ligjvënësve për herë të parë që kur u gjobit nga policia më 13 prill për pjesëmarrjen në një festë ditëlindjeje të organizuar për të në Downing Street në qershor 2020, kur tubimet e mëdha në ambiente të mbyllura u ndaluan.
Lideri laburist Keir Starmer e quajti deklaratën e Johnson të martën “një shaka”.
Ai shtoi: “Publiku ka vendosur; ata nuk besojnë asnjë fjalë që thotë kryeministri. Ata e dinë se çfarë është.”
Komentatorët politikë megjithatë vërejnë se Johnson ka të ngjarë t’i mbijetojë votimit të së enjtes për të hapur një hetim në parlament në lidhje me këtë festë, duke pasur parasysh shumicën e partisë së tij Konservatore në Parlament.
Megjithase një deputet konservator, Mark Harper, iu bashkua thirrjeve që Johnson të jepte dorëheqjen.
“Me keqardhje them se ne kemi një kryeministër që ka thyer ligjet që i tha vendit, më vjen shumë keq që duhet ta them këtë, por nuk mendoj se ai është më i denjë për postin e madh që mban”.
Ndërsa një panel deputetësh kanë folur për median britanike Sky News përpara se Johson të japë llogari sot në parlamentin britanik.
Conor McGinn, laburist, tha se kryeministri ka “gënjyer vazhdimisht” dhe “degjeneroi sakrificat” që njerëzit bënë gjatë izolimit.
“E vetmja mënyrë” që kryeministri mund të tregojë se i vjen vërtet keq është të japë dorëheqjen, shtoi ai.
Daisy Cooper, nënkryetare e Liberal Demokratëve, tha se nesër deputetët konservatorë duhet të votojnë për të mbrojtur parimet e shtetit ligjor” .
Ndërsa Angela Rayner nënkryetarja e Laburistëve akuzoi Johnson për thyerjen e kodit ministror duke i thënë parlamentit se asnjë rregull për COVID nuk ishte shkelur.
Ajo u ka kërkuar deputetëve konservatorë që të largojnë Boris Johnson, duke thënë se kryeministri ka kaluar një “vijë të kuqe”.
Johnson pretendoi në dhjetor se ai ishte i sigurtë se “nuk kishte asnjë festë dhe se asnjë rregull Covid nuk ishte thyer”.
Më pas doli se ai vetë mori pjesë në një sërë ngjarjesh, duke përfshirë festën e ditëlindjes për të cilën u penalizua nga policia.
Një hetim i brendshëm, i ndarë nga hetimi i policisë në vazhdim, ka zbuluar festa të shumta.
Johnson po kërkon të frenojë skandalin përpara një raundi të zgjedhjeve lokale në fillim të majit, testi i parë serioz i Partisë së tij Konservatore që kur u shfaqën raportet për tubimet.