Nesër është dita vendimtare për marrëveshjen për targat mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë e konfirmoi i emëruari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Me një status në Twitter nga Beogradi, ku zhvilloi një vizitë zyrtare, ai theksoi se gjatë të mërkurës u mbajt takimi I fundit mes grupeve të punës të Kosovës dhe Serbisë. “Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të ecur përpara”, shkruan Lajçak.
Marrëveshja e përkohshme për targat skadon nesër. Në bazë të saj, simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë mbuloheshin me letër të bardhë gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës. Ujdi u arrit shtatorin e kaluar dhe kishte për qëllim uljen e tensioneve në veri të Kosovës.